Po ulet numri i personave të sëmurë në Gostivar, uji nuk është ende i sigurt për përdorim

Numri i personave të sëmurë në Gostivar është në rënie, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, gjatë vizitës së tij në Spitalin Special për Sëmundje të Mushkërive në Leshok, pas raportimeve në media se uji i pijshëm në spital nuk është në gjendje të rregullt, transmeton Portalb.mk.

“Sot kemi rreth 80 raste të reja të raportuara, që është dy herë më pak se numrat e mëparshëm dhe kjo tregon qartë se jemi në një trend rënës. Numri i përgjithshëm i të prekurve është rreth 4.000. Deri më tani janë regjistruar 750 raste të sëmundjeve ngjitëse, ndërsa janë intervistuar epidemiologjikisht 490 persona. Mund të them se epidemia po hyn në fazën e qetësimit dhe tani fillon faza e analizës së plotë epidemiologjike për të përcaktuar kronologjinë e ngjarjeve. Në këtë fazë duhet të bëhet dallimi mes rasteve të lidhura me epideminë dhe atyre të gastroenteriteve të zakonshme”, deklaroi Klekovski.

Ai shtoi se, sipas analizave të fundit, uji nga ujësjellësi i qytetit ende nuk mund të përdoret as për qëllime teknike.

“Për të qenë uji i sigurt, kontrollohet niveli i klorit në të, por ende nuk është arritur niveli i dëshiruar. Po kryhen analiza të rregullta në disa pika matëse dhe, sapo klorimi të arrijë nivelin e kërkuar, do të jepet leja për përdorimin e ujit si ujë teknik”, sqaroi ministri.

Lidhur me ujin e pijshëm në Leshok, Klekovski tha se situata është e njëjtë prej vitesh dhe se Spitali Special në Leshok prej shumë vitesh përdor ujë të pijshëm nga dispenserët (aparatet me bidona), ndërsa nuk e përdor ujin nga ujësjellësi i fshatit për konsum.

Kujtojmë se, në Gostivar është shpallur epidemi për shkak të numrit të madh të rasteve të prekura nga uji i ndotur, ndërsa Qeveria ka shpallur edhe gjendje krize 30-ditore për të përballuar situatën në Gostivar.P ubliku u informua për rastin pasi një numër i madh banorësh të Gostivarit kërkuan ndihmë mjekësore.

Për rastin në Gostivar po zhvillohet edhe një hetim penal. Autoritetet dyshojnë se ishin vendosur pompa përmes të cilave ujëra të ndotura hynin në tubacionin kryesor të ujësjellësit, me gjasë për të rritur presionin e ujit.

Me propozim të Prokurorisë, Gjykata Penale në Gostivar shqiptoi 30 ditë paraburgim për tre të dyshuarve për ndotjen e ujit në sistemin e ujësjellësit në Gostivar. Gjykatësja Dragoslada Veselinova tha se duke pasur parasysh dënimin e paraparë me ligj që iu ngarkohet të dyshuarve sanksionohet me të paktën 4 vjet burg, ndërsa, shtoi ajo nëse lihen të mbrohen në liri, ekziston rreziku që ata të arratisen ose të ndikojnë te dëshmitarët.

Inspektorët e Agjencisë për Ushqim dhe Veterinari, së bashku me policinë dhe përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit, konstatuan se në tubacionin kryesor ishte vendosur në mënyrë të paligjshme një pompë që fuste drejtpërdrejt ujë nga lumi Vardar. Kontrolli u krye pas njoftimit të prokurorit publik për shkak të dyshimeve se uji ishte ndotur, pas ankesave të qytetarëve. Më pas, uji u ndalua për pirje.

Prokuroria Publike më 20 korrik shpalli rezultatet e analizave, të cilat treguan se në ujë kishte pasur 48 herë më shumë baktere se vlerat e lejuara.