Papa Françesku solli vendim historik: Gratë do të kenë të drejtën e votës në Sinodin e Ipeshkvijve
Papa Françesku miratoi ndryshimet në ligjin për Sinodin e Ipeshkvijve – një organ i krijuar më shumë se 50 vjet më parë për të koordinuar mbledhjet periodike të peshkopëve të botës, transmeton DW.
Deri tani për propozimet e paraqitura në sinod kishin të drejtë të votonin vetëm burrat. Sipas ndryshimeve të reja gratë jo vetëm që mund të marrin pjesë në sinodet si dëgjuese, por edhe të votojnë në organin këshillues papal.
Në mbledhjen e ardhshme të sinodit që do të zhvillohet në tetor në Romë, përfaqësuesit e votueseve do të jenë pesë murgesha dhe pesë priftërinj.
Papa ka vendosur gjithashtu që si anëtarë të sinodit do të emërohen edhe 70 anëtarë jo peshkopë “të cilët përfaqësojnë grupime të ndryshme të besimtarëve dhe njerëzve të Zotit”. Gjysma e tyre do të jenë gra dhe do të kenë të drejtë vote.
“Ky është një ndryshim i rëndësishëm, dhe jo revolucion,” tha kardinali Jean-Claude Hollerich, një nga organizatorët kryesorë të sinodit.
E drejta e grave për votë
Grupet e grave katolike kanë bërë prej kohësh fushatë për të drejtën e votës në sinod dhe e kanë kritikuar Vatikanin për mostrajtimin e grave si anëtare të barabarta të sinodit.
Në vitin 2020 aktivistet për të drejtat e grave në Gjermani paraqitën një peticion me mbi 130,000 nënshkrime duke bërë thirrje për më shumë gra në role udhëheqëse në organet drejtuese të Kishës Katolike në Gjermani.
Sipas rregullave të reja 70 anëtarët jo-peshkopë do të zgjidhen nga Papa Françesku jo vetëm bazuar në “kulturën dhe maturinë e tyre të përgjithshme, por edhe nga njohuritë e tyre, teorike dhe praktike”.
Megjithëse shumica e përfaqësuesve votues në sinodin e tetorit do të jenë përsëri peshkopë, rreth 20% do të jenë jo peshkopë, dhe gjysma e tyre gra, tha kardinali Mario Grech, i cili është në krye të sinodit.
Rregullat e reja pasojnë dy momente kryesore për të drejtat e grave në Vatikan. Në vitin 2021 Papa emëroi për herë të parë një grua në pozitën numër dy të guvernës së Qytetit të Vatikanit.
Dhe vitin e kaluar pas një reforme të re të administratës qendrore të Selisë së Shenjtë, Papa Françesku lejoi çdo laik të pagëzuar katolik, përfshirë gratë, që të drejtojnë shumicën e departamenteve të Vatikanit.