Luljeta Rama Muçaj ekspozon “Zhurma e kuptimit” në Galerinë Nacionale në Shkup

Sonte, më 20 prill, në ora 19:00, në objektin Çifte Hamam të Galerisë Nacionale të RMV-së, do të hapet ekspozita “Zhurma e kuptimit” nga dizajnerja Luljeta Rama Muçaj. Identiteti, si një ndër temat qendrore të kësaj ekspozite, trajtohet si një konstrukt i hapur dhe i paqëndrueshëm. Përmes imazheve të fragmentuara, gjurmëve, strukturave gjeometrike dhe referencave vizuale që lëvizin nga personalja te kolektivja, artistja sugjeron se identiteti nuk është një entitet i ngurtë dhe i pandryshueshëm, por një proces i vazhdueshëm negocimi. Ai paraqitet si një hapësirë ku përvoja, kujtesa dhe perceptimi ndërthuren në mënyrë të pandashme, shkruan Portalb.mk.

Kuratorja e ekspozitës Narona Luma Veseli për Portalb.mk tha se “‘Zhurma e kuptimit’ nuk është thjesht një eksplorim estetik, por një reflektim i thellë mbi mënyrën se si kuptimi ndërtohet në një realitet të fragmentuar vizual. Përmes ndërhyrjeve grafike dhe strukturave të ndërmjetësimit, Rama Muçaj hap një hapësirë dialogu ku identiteti mbetet gjithmonë në proces, gjithmonë në lëvizje.

“Ekspozita personale e dizajneres Luljeta Rama Muçaj, “Zhurma e kuptimit, artikulon një kërkim të qëndrueshëm mbi marrëdhënien ndërmjet identitetit, dialogut dhe strukturave të ndërmjetësimit në realitetin bashkëkohor vizual. Praktika e artistes zhvillohet në një territor ndërdisiplinor, ku dizajni grafik nuk funksionon vetëm si mjet komunikimi, por si gjuhë konceptuale dhe strukturore. Në këtë seri, elemente si tipografia, fragmenti, prerja dhe përsëritja nuk janë thjesht zgjidhje formale, por bartës të një diskursi mbi mënyrën se si ndërtohet dhe shpërbëhet kuptimi. Veprat operojnë në një hapësirë “mes” mes zërit dhe heshtjes, mes pranisë dhe mungesës, mes asaj që shfaqet dhe asaj që mbetet e fshehur. Ky “mes” nuk është boshllëk, por një zonë aktive tensioni, ku dialogu lind përmes ndërprerjes, fragmentimit dhe mbivendosjes. Në këtë kontekst, “zhurma e kuptimit” nuk përfaqëson kaosin si mungesë rendi, por si një gjendje dinamike ku kuptimi ndërtohet, shpërbëhet dhe riformulohet vazhdimisht”, tha Luma Veseli.

Foto nga veprat e artistes Luljeta Rama Muçaj. Foto: Narona Luma Veseli
Foto nga veprat e artistes Luljeta Rama Muçaj. Foto: Narona Luma Veseli

Ajo shton se ekspozita e Luljeta Rama Muçajt e trajton komunikimin dhe identitetin si procese të brishta, të fragmentuara dhe gjithmonë në lëvizje, duke ndërtuar një dialog të fuqishëm me realitetin bashkëkohor të mbingarkuar me imazhe dhe informacione.

“Në disa nga punimet, figura njerëzore shpërbëhet ose reduktohet në silueta dhe forma bazike, duke e zhvendosur fokusin nga individualja drejt një dimensioni më universal. Ndërkohë, përdorimi i materialeve vizuale që evokojnë çarje, thyerje apo shtresëzim, e përforcon idenë e dialogut si një akt që ndërtohet mbi papërsosmëri dhe ndërprerje. Ekspozita ndërton një narrativë që kalon nga fragmentimi drejt lidhjes, nga zhurma drejt kuptimit, duke sugjeruar se komunikimi nuk është një akt linear, por një proces kompleks dhe shpesh i brishtë. Në këtë mënyrë, praktika e dizajneres Luljeta Rama Muçaj vendoset në një dialog të hapur me realitetin bashkëkohor, duke reflektuar mbi mënyrat se si ne e kuptojmë veten dhe tjetrin në një botë të mbingarkuar me imazhe dhe informacione”, tha Luma Veseli.

Foto nga veprat e artistes Luljeta Rama Muçaj. Foto: Narona Luma Veseli
Foto nga veprat e artistes Luljeta Rama Muçaj. Foto: Narona Luma Veseli

Luljeta Rama Muçaj është artiste vizuale, dizajnere grafike dhe ligjëruese nga Prishtina, e njohur për një praktikë artistike bashkëkohore që ndërthur dizajnin me pikturën dhe për një qasje të veçantë krijuese në natyrë, shpesh duke realizuar vepra në shi, ku elementi natyror bëhet pjesë aktive e procesit artistik.

Afishja e ekspozitës “Zhurma e kuptimit. Foto: Narona Luma Veseli
Afishja e ekspozitës “Zhurma e kuptimit. Foto: Narona Luma Veseli