Panairi i Tiranës – Sot promovohet libri më i ri i Primo Shllakut “Pesha e padurueshme e pafajësisë”

Panairi i Tiranës vazhdon të jetë një festë mbarëkombëtare, më e madhja e librit. Për disa ditë me radhë janë shpallur me dhjetëra promovime librash për të cilat Portalb.mk do të përiqet t’u sjell informacione se cilat janë librat më të bujshëm të panairit. 

Sot ,e mërkurë, 15 nëntor, në orën  17.00, në stendën e Shtëpisë Botuese ”Onufri” mbahet promovimi i romanit më të ri nga shkrimtarit Primo Shllaku që quhet  “Pesha e padurueshme e pafajësisë”. Ky roman fitoi çmimin e parë “Gjergj Fishta” në konkursin e shpallur para tri javësh nga Bashkia e Lezhës.

Lajmërimi për promovimin
Lajmërimi për promovimin
Fragment nga libri:
* * *
Atëherë Zefi i tha se prifti e kishte ndigjue me vëmendje dhe në nji shenj kohe, teksa hante me kafshata të vogla, i kishte thanë:
– Manoli nuk asht djalë i keq.
– Si? – i ishte përgjigjë Zefi me idhnim.
– Unë e shof, – i kishte thanë prifti me njifarë kthjelltësie, – se ti nuk ke gja me Manolin. Ti ke problem, ti nuk duroke pafajësinë tande, djalosh…
Zefi ishte mpi nga hutimi se nuk po gjente pështetje te prifti, të cilit po i hapej lidhë me jetën e tij në tavernën e kushërinit të tij të parë.
– E çfarë të baj, pra…? – e kishte pyetë Zefi me dëshpërim.
Prifti e kishte shikue thellë në sy Zefin dhe me sa duket, kishte pa atje dëshirën e tij të thekshme për nji zgjidhje. Prifti kishte pa përqark dhe me gisht i kishte thanë Zefit të afrohej. Zefi ishte ulë në karrikë dhe e kishte shtri veshin drejt priftit. Edhe prifti i ishte afrue paksa djaloshit.
– Vidhe, vidhe!
Zefi nuk u kishte besue veshëve.
– Si thatë, atë i shenjtë? – kishte shqiptue me çudi të thellë Zefi.
– Po, po, atë që ndigjove…
Zefi po e këqyrte priftin si i çakërdisun.
– Vidhe dhe qetësohu… Përfundimisht…
Prifti e kishte drejtue shtatin dhe kishte marrë qëndrimin e atij që s’ka njeri pranë.
Zefi kishte dashtë me e pyetë edhe ma gjatë, por prifti qëndronte i papranishëm dhe nuk po e llogariste fare qenien e Zefit atypari.
Zefi i tha Marinit se ishte çue prej tavoline me fjalët tronditëse të priftit në vesh: “Vidhe dhe qetësohu… Përfundimisht…”
– Çudi e madhe! – foli Marini.