Padi ndaj një polici të RMV-së nën dyshimet se kundërligjshëm ka shtuar orët e punës për të marrë më shumë rrogë
Policia e Maqedonisë së Veriut ka evidentuar një rast kur një polic i dyshuar kundërligjshëm ka ndërhyrë në sistemin për përgatitjen e rrogave, duke i shtuar orët e punës vetëm për të marrë më shumë rrogë, transmeton Portalb.mk.
“I denoncuari, sipas konstatimeve të dokumentuara nga hetimi, në disa raste në mënyrë të paautorizuar ka hyrë në sistemin kompjuterik që përdoret në punën e Ministrisë së Punëve të Brendshme në programin për përpunimin e rrogave në MPB, me emrin e përdoruesit të dikujt tjetër, me ç’rast ka bërë ndryshime në sistemin për evidentimin e orëve të punës dhe i ka ndryshuar të dhënat kompjuterike për orët e realizuara të punës”, deklaruan nga MPB-ja.
Inspektori I pavarur akuzohet për kryerjen e veprës penale “Dëmtimi dhe hyrja e paautorizuar në sistemin kompjuterik”, kjo është vepër e dënueshme në bazë të nenit 251, paragrafi 1 dhe paragrafi 4 nga Kodi Penal.
Policia ndaj inspektorit A.Q. ka propozuar edhe marrjen e armës, municionit zyrtar dhe pezullimin nga puna, deri në zbardhjen e rastit.