Padi ndaj një gruaje nga Gostivari, i lidhte fëmijët e saj me shirit ngjitës, si dhe ushtronte dhunë fizike

Pas një procedure hetimore, prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë kundër një banoreje të Gostivarit me vendbanim në Shkup për dy vepra penale – Moskujdes dhe keqpërdorim i fëmijës nga neni 201 paragrafi 1 dhe dy vepra penale – Lëndim trupor nga Neni 130 paragrafi 2 në lidhje me paragrafin 1 të Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.

Që nga prilli i këtij viti, 34-vjeçarja e akuzuar si prind, duke neglizhuar rëndë detyrën e kujdesit dhe edukimit, ka neglizhuar dhe keqtrajtuar dy fëmijët e saj – njëri i lindur në 2017, tjetri në 2019.

“Fëmijëve ajo ua lidhte duart, gjunjët dhe këmbët e fëmijëve me shirit ngjitës dhe i linte të qëndrojnë në atë pozicion në një karrige ose në shtratin e tyre ndërsa ishte në banesë.  Me fëmijën e vogël ajo ka komunikuar duke shfaqur agresivitet verbal dhe fizik dhe nuk ka treguar shqetësim për përmirësimin e gjendjes së tij, edhe pse ekspertiza e kryer me urdhër të prokurorit publik ka konstatuar se ai ishte fëmijë i neglizhuar nga ana sociale dhe emocionale me pjekuri psikomotorike dhe psikosociale nën moshën e tij reale”, njoftojnë nga Prokuroria.

Më 7 maj, gjatë kryerjes së dhunës familjare, e pandehura ka plagosur fizikisht fëmijët e saj. Teksa po bënte një video-telefonatë në një rrjet social me partnerin e saj jashtëmartesor, dukshëm e shqetësuar, filloi pa asnjë rast apo arsye t’i godiste fëmijët në trup, duke u shkaktuar atyre lëndime fizike – gunga dhe mavijosje.

Prokurori publik kompetent i ka dorëzuar Gjykatës Themelore Penale Shkup propozim për vazhdimin e masës së paraburgimit për të akuzuarën.