Këshilltarët e BDI-së i hodhën mbeturinat para komunës: Tetovën e keni shndërruar në Rusino

Duke hedhur katër thasë me mbeturina para derës së objektit të Komunës së Tetovës, këshilltarët e Bashkimit Demokratik për Integrim shprehën revoltën e tyre me udhëheqësinë e komunës për menaxhimin e keq me mbeturinat në qytet, raporton Portalb.mk.

Këshilltari Liridon Disha tha se ky aktivitet i tyre bëhet për t’i kujtuar komunës si e kanë katandisur qytetin.

“Deponitë që janë krijuar në çdo lagje përbëjnë kërcënim serioz për jetën e qytetarëve. Mbetjet që kanë filluar të kundërmojnë janë sinjal se në këto deponi që janë krijuar në çdo lagje të Tetovës, janë zhvilluar baktere dhe mikroorganizma shumë të rrezikshme për shëndetin e qytetarëve, e sidomos të fëmijëve tanë”, tha Disha.

Ata u bënë thirrje autoriteteve lokale që sa më shpejtë që të jetë e mundur të mblidhen mbeturinat dhe të gjendet zgjidhje për situatën emergjente në të cilën është katandisur qyteti.

“Në të kundërtën, le të japin dorëheqje si pasojë e paaftësisë së tyre për të mbajtur higjienën e qytetit. Premtuat se Tetovën do ta bëni Dubai, në fakt Tetovën e keni shndërruar në Rusino”, tha Disha.

Tetova së fundmi ka qenë e stërmbushur me mbeturina të cilat krijonin mini deponi rreth kontejnerëve në shumë pika në qytet, për të cilat Portalb.mk edhe ka raportuar.

Në lidhje me këtë problem, Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” njoftoi se këto deponi tani më janë pastruar.

Ekipet e Ndërmarrjes Publike kanë bërë pastrimin e të gjitha mini-deponive të krijuara në territorin e komunës sonë. E gjitha kjo erdhi si pasojë e disa defekteve që pamundësonte marrjen e mbeturinave. Ky problem tashmë është zgjidhur dhe puna vazhdon rregullisht”, thanë nga NPK “Tetova”.

Rikujtojmë se zotimi i kreut të Komunës së Tetovës, Bilall Kasamit me 29 dhjetor 2023 duke iu referuar marrëveshjes me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave në Tetovë se “përfundimisht nga 1 janari Tetova do të jetë një qytet në grupin e qyteteve evropiane sa i përket pastërtisë dhe menaxhimit me mbeturina”, nuk është realizuar ende në terren.

Edhe pse Kasami tha se nga 1 janari Tetova do të jetë më e pastër referuar marrëveshjes me “Saubermaher”, në ueb-faqen e kompanisë Saubermaher qëndron se afati i kontratës me Komunën e Tetovës është pesëmbëdhjetë vjet dhe do të fillojë në shkurt 2024.

Portalb.mk u drejtua edhe me pyetje gazetareske deri te kjo kompani, por përgjigje nuk kemi marrë.

Daut Memishi nga Ndërmarrja Publike Komunale i pyetur nga Portalb.mk për atë se pse u tha që me 1 janar do fillojë operimi nga ana e kompanisë por që në terren ka plotë mbeturina theksoi se kjo mund të jetë ndonjë keqkuptim.

“Mendoj që është ndonjë keqkuptim, nga momenti që është nënshkruar marrëveshja me kompaninë private me Komunën e Tetovës, afati i tyre është 90 ditë deri te plotësimi i të gjithë dokumentacioneve të nevojshme për të filluar me menaxhimin e mbeturinave në qytet. Nuk ka qenë e precizuar se 1 janari, mirëpo ka mundur edhe më herët por shkaku i disa lejeve që duhet të kalojnë në Ministrinë e Mjedisit dhe disa dokumentacioneve tjera paksa është vonuar. Tani përgatitemi që me 1 shkurt ose para edhe shkurtit me menaxhimin vetëm se mundemi të fillojmë, mirëpo faturimin e parë do ta bëjnë për muajin shkurt në fillim të marsit”, tha Memishi me 12 janar 2024.

Komuna e Tetovës me 10 nëntor 2023 nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” menaxhimin e mbeturinave në Tetovë.

Kujtojmë dhe se në janar të vitit 2023 Këshilli Komunal mori vendimin që Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” të ndahet në dy subjekte të reja, edhe atë Ndërmarrja Publike Komunale “Sharri” e cila do të merret me ujësjellësin dhe Shoqëria për Prodhim dhe Shërbime Komunale “Oaeneum” e cila do merret me higjienën komunale. Ndërkaq NPK-ja aktuale do vazhdojë me veprimtaritë që ngelin, konkretisht veprimtaria e tregut, gjelbërimit dhe varrezave të qytetit, pra tre veprimtari.