Osmani: Nevojitet vendosmëri strategjike për integrimin e përshpejtuar të rajonit në BE

Maqedonia e Veriut jo vetëm që investon përpjekje maksimale për përmbushje të kritereve për anëtarësim në Bashkimin Evropian, por u bë shembull në gjithë rajonin me kulturën e dialogut dhe zgjidhjes kompromise të çështjeve të hapura. Këtë sot e ka theksuar shefi i diplomacisë Bujar Osmani gjatë takimit joformal në Bruksel së bashku me ministrat e Punëve të Jashtme të shteteve-anëtare të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, njofton Portalb.

Gjatë takimit, me të cilin kryesonte përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Zhozep Borel, Osmani ka theksuar se invazioni rus në Ukrainë, mes tjerash, e ka shfaqur urgjencën për shtypje të përbashkët ndaj ndikimit të vendeve të treta jodemokratike në zemrën e Evropës.

Nga këtu, siç informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme, shefi i diplomacisë ka shtuar se nevojitet vendosmëri strategjike për integrim të përshpejtuar të gjithë rajonit në Bashkimin Evropian.

“Edhe pse nuk jemi drejtpërdrejt në fushën e betejës, megjithatë jemi në fushën e betejës të narrativave dhe dezinformatave dhe duhet t’i shmangim këto përpjekje dhe të hapemi për mundësi përmes pajtimit, dialogut, tejkalimit të trashëgimisë nga e kaluara dhe zgjidhjes së kontesteve me mirëkuptim, respekt dhe zgjidhje reciprokisht të pranueshme”, theksoi Osmani.

Në bisedimet, në fokus të së cilit kanë qenë gjendjet aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor dhe proceset e tyre eurointegruese në kontekst të paarsyeshmërisë së agresionit rus ndaj Ukrainës, Osmani e ka reafirmuar pozicionin e vendit dhe mbështetjes politike për Ukrainën në kontekst të pavarësisë dhe sovranitetit të saj, por edhe për rrugën evropiane.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila ka paralajmëruar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.