Osmani: Nëse nuk i zgjidhim ndryshimet kushtetuese, do të hyjmë në grupin e vendeve me çështje të hapura

Kundërshtarët e ndryshimeve kushtetuese janë në fakt mbështetës të ideve të radikalëve bullgarë se perspektiva evropiane e shtetit duhet të reduktohet në marrëdhënie bilaterale me Republikën e Bullgarisë, deklaroi ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, shkruan MIA, njofton Portalb.

Ndryshimet kushtetuese, sipas Osmanit, janë faktori që do të konfirmojë se cilit grup do t’i përkasim dhe për këtë arsye, siç tha, përgjegjësia e çdo deputeti është aq e madhe.

“Nëse i përfundojmë ndryshimet kushtetuese, ne hyjmë në grupin që presin që viteve të ardhshme të bëhen vende-anëtare të BE-së. Vendim për këtë tashmë ka në BE, nëse nuk i zgjidhim ndryshimet kushtetuese, ne do të hyjmë në grupin e vendeve të cilat kanë çështje të hapura dhe atëherë na kthehen Marrëvehja me Bullgarinë, Protokolli dhe në përgjithësi marrëdhëniet me Bullgarinë, çështjet historike…”, tha Osmani.

Pikërisht për këtë arsye, Osmani tha se është optimist, dhe se mendon se “asnjëri nga deputetët nuk do të dëshironte që emri i tij të shkruhet në histori si njerëz, të cilët e kanë vendosur vendin në grupin e vendeve me çështje të hapura”.

“Nga kampion i gjeneratës, në grup të vendeve të cilat do të duhet të zgjidhin çështje të hapura”, deklaroi Osmani.

I pyetur se deri ku është zbatimi i Protokollit me Bullgarinë, Osmani tha se “po zhvillohet në suaza të dinamikës së parashikuar”.

Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

Megjithatë, negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë nga pala e Maqedonisë së Veriut, të cilat për votim në Kuvend kërkojnë dy të tretat e deputetëve, të cilat shumica nuk i ka, prandaj duhet mbështetje nga opozita maqedonase, e cila deri në realizimin e takimit të liderëve kishte qëndrim të betonizuar se nuk do të votojnë për ndryshimin e Kushtetutës.

Nëse nuk bëhen ndryshimet kushtetuese deri në nëntor të këtij viti, procesi eurointegrues i RMV-së rrezikon të bllokohet përsëri.