Osmani – Narbayeva: Roli i grave në shoqëri dhe siguria e tyre është prioriteti ynë

Me takimin me kryetaren e Senatit të Uzbekistanit, Tanzila Narbayeva, kryesuesi i OSBE-së dhe ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, filloi vizitën e tij në Azinë Qendrore, transmeton Anadolu.

Në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut thuhet se në fokus të takimit mes Osmanit dhe Narbayeva-s ishte roli i Senatit në përpjekjet për forcimin e rolit të gruas dhe rritjen e sigurisë së tyre, që është një nga prioritetet kryesore të Presidencës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në në vitin 2023.

“Në këtë drejtim, Zyra e Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan, së bashku me Sekretariatin, bashkëpunon me të gjitha institucionet qeveritare për zbatimin e Strategjisë Kombëtare për arritjen e barazisë gjinore deri në vitin 2030. Po ashtu është për t’u përshëndetur miratimi i Planit Kombëtar të Veprimit për Gra, Paqe dhe Siguri”, tha Osmani në takimin me Narbayeva-n.

Në njoftim thuhet se përveç legjislacionit që lidhet me përmirësimin e pozitës së grave në shoqëri, Senati i Uzbekistanit po bashkëpunon ngushtë me OSBE-në për zbatimin e reformave në fusha të tjera si dhe forcimin e mbikëqyrjes parlamentare të sektorit të sigurisë dhe ngritjen e kapaciteteve për përfaqësuesit e Parlamentit në Uzbekistan.

“OSBE-ja është e gatshme të ofrojë mbështetje në drejtim të zbatimit të rekomandimeve të ODIHR-it, si dhe në fusha të tjera. Qëllimi përfundimtar i mbështetjes që OSBE-ja u jep autoriteteve shtetërore të Uzbekistanit është krijimi i politikave në favor të qytetarëve dhe në drejtim të forcimit të proceseve demokratike”, tha Osmani.

Në kuadër të vizitës në Uzbekistan, Osmani do të takohet edhe me presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev ndërsa do të mbajë konferencë të përbashkët për media me ministrin e Punëve të Jashtme, Bakhtior Saidov.

Përveç takimeve me kreun e shtetit, në agjendën e kryesuesit janë edhe takime me përfaqësues të shoqërisë civile ndërsa Osmani do të vizitojë edhe Zyrën e Koordinatorit të Projektit të OSBE-së në Uzbekistan.