Osmani: Familja nga Maqedonia e Veriut u evakuua me sukses nga Gaza

Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka shpërndarë sot në profilin e tij në Facebook familjen nga Maqedonia e Veriut e cila është evakuuar e sigurt nga Gaza. Osmani falënderoi ambasadat e Maqedonisë në Kajro dhe Tel Aviv për misionin e suksesshëm, trasmeton Portalb.mk.

“Familja Skaik, pas një kohe të gjatë u evakuua e sigurt nga Gaza, dhe nga sot është e sigurtë në vend. Evakuimi nga Gaza paraqet një sfidë të veçantë diplomatike dhe mbi të gjitha konsullore, duke pasur parasysh situatën komplekse të sigurisë në atë rajon. Dua të falënderoj veçanërisht diplomatët në ambasadat tona në Kajro dhe Tel Aviv, të cilët ishin në kontakt të vazhdueshëm si me familjen ashtu edhe me autoritetet në Egjipt dhe Izrael”, shkroi Osmani.

Në të njëjtën kohë, ai falënderoi Organizatën Ndërkombëtare për Migrim (IOM), e cila ndihmoi në transferimin e familjes Skaik në Shkup, si dhe Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale, gjegjësisht Qendrës për Punë Sociale në Shkup , për organizimin e akomodimit.

Ministri njoftoi se po punohet për nxjerrjen e dy shtetasve maqedonas, një çift të martuar, evakuimi i të cilëve siç tha Osmani pritet së shpejti.

Së fundmi, me përpjekjet e përbashkëta të Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi, një numër i madh i qytetarëve u evakuuan nga Izraeli dhe Palestina.