Oscar për Luana Bajramin, filmi ku ajo luan triumfoi në skenën më të madhe të botës
Filmi i shkurtër “Two People Exchanging Saliva”, në të cilin luan aktorja shqiptare Luana Bajrami, ka arritur një sukses të madh ndërkombëtar duke fituar çmimin Best Live Action Short Film në ceremoninë prestigjioze të Academy Awards, shkruan Portalb.mk.
Kjo fitore u veçua edhe për një arsye tjetër të pazakontë, pasi në këtë kategori çmimi nuk iu dha vetëm një produksioni, por u nda mes dy filmave fitues, duke e bërë momentin edhe më të veçantë në natën e ndarjes së çmimeve.
Në këtë produksion, Luana Bajrami interpreton rolin kryesor në një histori të ndërtuar në një Paris krejtësisht të pazakontë, ku puthjet janë të ndaluara dhe konsiderohen shkelje e ligjit. Në një atmosferë të ftohtë, absurde dhe shtypëse, personazhet përballen me një realitet që sfidon lirinë njerëzore dhe ndjenjat më të natyrshme.
Fitorja e këtij filmi përbën një arritje të rëndësishme jo vetëm për vetë projektin, por edhe për karrierën e Luana Bajramit, e cila me këtë rol shënon një moment të veçantë në skenën më të madhe të kinematografisë botërore. Ky vlerësim e vendos emrin e saj edhe më fuqishëm në vëmendjen ndërkombëtare dhe përbën një sukses të rëndësishëm për përfaqësimin shqiptar në industrinë e filmit.