Dha dorëheqje gjykatësi kushtetues Goce Naumovski
Goce Naumovski ka dhënë dorëheqje nga funksioni i gjykatësit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Naumovski dorëheqjen e ka dorëzuar në Kuvend.
Dorëheqja e gjyqtarit kushtetues Goce Naumovski është e parevokueshme, ndërsa në arsyetim ai ka theksuar se e paraqet për arsye profesionale dhe personale.
Nga Gjykata Kushtetuese, ndërkaq, thanë se gjyqtari Goce Naumovski nuk e ka njoftuar zyrtarisht Gjykatën për dorëheqjen dhe se deri më tani nuk kanë marrë konfirmim zyrtar as nga Kuvendi.
Megjithatë, siç shtojnë nga Gjykata Kushtetuese, kryetari i Gjykatës, Darko Kostadinovski, ka marrë konfirmim për dorëheqjen gjatë një bisede telefonike me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi.
“Gjykata nuk ka pranuar njoftim zyrtar nga gjyqtari Goce Naumovski se ka dhënë dorëheqje. Gjyqtari sot mungoi në seancë. Konfirmim zyrtar nuk ka mbërritur as nga Kuvendi. Kryetari Kostadinovski mori konfirmim për dorëheqjen vetëm gjatë një bisede telefonike me kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi”, thanë nga Gjykata Kushtetuese.
Sipas informacioneve, Naumovski nuk kishte marrë pjesë as në seancën e Gjykatës Kushtetuese të mbajtur të mërkurën e kaluar (8 korrik).
Naumovski u zgjodh gjyqtar kushtetues më 18 shkurt të këtij viti, me propozim të Kuvendit.
Zgjedhja e tij pasoi dorëheqjen e profesoreshës Jadranka Daboviq–Anastasovska, e cila në dhjetor të vitit të kaluar u largua nga funksioni i gjyqtares kushtetuese për arsye shëndetësore dhe personale.
Para se të zgjidhej gjyqtar kushtetues, ai ishte një nga bashkëpunëtorët e jashtëm të kryeministrit Hristijan Mickoski në fushën e së drejtës. Naumovski është gjithashtu vëllai i ish-zëvendëskryeministrit për integrime evropiane në një nga qeveritë e mëparshme të VMRO–DPMNE-së, Vasko Naumovski.
Me dorëheqjen e parevokueshme të Naumovskit, Gjykata Kushtetuese mbetet me shtatë gjyqtarë. Kjo pasi gjyqtarja kushtetuese Elizabeta Dukovska u shkarkua, ndërsa në vend të saj ende nuk është zgjedhur gjyqtar i ri, megjithëse Këshilli Gjyqësor që në fund të marsit propozoi gjyqtaren e Gjykatës së Apelit në Shkup, Meri Dika Georgievska, për këtë funksion.