Opozita në RMV ngriti alarmin për shtrenjtime të çmimeve, qeveria e cilëson situatën të menaxhueshme
Në Kuvend u zhvillua një debat i tensionuar mbi gjendjen e çmimeve, ku përfaqësues të opozitës dhe qeverisë dhanë interpretime krejtësisht të ndryshme për realitetin ekonomik. Deputeti i Oliver Spasovski nga LSDM ngriti shqetësimin për atë që ai e cilësoi si valë të re shtrenjtimesh, duke theksuar se një sërë produktesh ushqimore bazë kanë pësuar rritje të dukshme në një periudhë të shkurtër. Ai e lidhi këtë trend me faktorë të jashtëm, si kostot e energjisë dhe zhvillimet gjeopolitike, duke kërkuar nga qeveria një strategji konkrete për mbrojtjen e standardit të qytetarëve, transmeton Portalb.mk.
“Për një javë do t’ju lexoj disa çmime që janë verifikuar, vaji ka qenë 74 denarë, tani është nga 93 deri në 118; kafeja ka qenë 104, tani është 120 deri në 140 denarë; mishi i bluar ka qenë 638, ndërsa tani është 849, mishi i pulës 376, ndërsa tani është 493, qumështi 56, tani është 67–78 denarë, vezët 103, tani janë nga 122 deri në 148. Aktualisht kemi një rritje enorme të produkteve bazë ushqimore, sidomos të fruta-perimeve, sot në treg specat janë rreth 300 denarë, ndërsa domatet janë 200 denarë e pak më shumë”, deklaroi Spasovski.
Në kundërpërgjigje, ministri i Ekonomisë Besar Durmishi theksoi se nuk ka indikatorë që dëshmojnë për një rritje të pakontrolluar të çmimeve. Ai bëri të ditur se institucionet mbikëqyrëse janë aktive në terren dhe po monitorojnë zinxhirin e furnizimit, nga prodhimi deri te shitja, për të parandaluar abuzimet eventuale.
“Pra, nuk do të lejojmë presione, qoftë nga prodhuesit apo nga tregtarët dhe siç kemi qenë edhe më parë, do të jemi këtu për të ndërmarrë masa që janë në interes të qytetarëve. Paralelisht me këtë, dua të theksoj se inspektorati shtetëror ka ndarë 30 grupe dhe i kontrollon plotësisht, që nga prodhuesit, shpërndarjen dhe tregtarët, dhe deri më tani nuk kemi marrë informacione se ka rritje enorme”, tha Durmishi.
Ndërsa opozita paralajmëron për presion në rritje mbi buxhetin familjar, qeveria këmbëngul se mekanizmat e kontrollit po funksionojnë dhe se situata mbetet e menaxhueshme. Debati nxori në pah dallimet e thella në vlerësimin e gjendjes ekonomike dhe pritshmëritë për ndërhyrje nga institucionet.
Kujtojmë se, të dielën Qeveria, në një seancë të jashtëzakonshme qeveritare, mori vendim për uljen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për karburantet nga 18% në 10%.