Opera e parë e Kosovës ka nisur historikun, tre artistë nga Maqedonia pjesë e saj

 “Goca e Kaçanikut” nga Rauf Dhomi, në regji të Nikolin Gurakuqi, mbrëmë mbushi sallën dhe nisi historikun e operës së parë të Kosovës në të cilën kishte dhe tre artistë nga Maqedonia në role kryesore, edhe atë tenori Ismet Vejseli në rolin e Trimorit, Mezzo- sopranoja Besiana Mehmedi në rolin e Plakës, si dhe në orkestër violinisti Krenar Ismaili,  njofton Portalb.mk.

Fotografi e marrë nga faqja e Operës së Kosovës
Fotografi e marrë nga faqja e Operës së Kosovës

“Goca e Kaçanikut” e Rauf Dhomit ka bërë bashkë profesionistë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria për t’i dhënë jetë një vepre brenda institucionit më të ri, Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës.

Nën dirigjimin e Edon Ramadanit, me solistë nga të trija vendet, orkestra dhe kori i Operës së Kosovës, sollën në jetë tingujt e krijuar mbi motivet e novelës së Milto Sotir Gurrës me të njëjtin emër.

“Goca e Kaçanikut” ka 53 vjet që është shkruar dhe premiera e saj u vu në skenë më 1979 në Tiranë në formë fragmentare dhe sigurisht e pakompletuar. Sigurisht, kjo operë e mbrëmshme u vu në skenë joadekuate në mungesë të shtëpisë amë.

Fotografi e marrë nga faqja e Operës së Kosovës
Fotografi e marrë nga faqja e Operës së Kosovës

Në role kryesore ishin sopranoja Adelina Paloja dhe tenori nga Maqedonia Ismet Vejseli të cilët sollën në jetë Pafikën dhe Trimorin, ndërsa Hektor Leka dhe po ashtu nga Maqedonia Besiana Mehmedi portretizuan Plakun dhe Plakën. Në role të tjera u prezantuan Harris Bajraktari si Rusbashi, Hekuran Bllaca si Fiqali, dhe Etrit Nura si Agjenti. Nga Maqedonia në orkestër ishte dhe violinisti Krenar Ismaili. Me libreto nga Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi.

Opera  është e ndarë në dy akte, tre tablo. E tërë ngjarja është e vendosur në kohën e Rilindjes Kombëtare në qytetin e Kaçanikut. Në aktin e parë është paraqitur shtëpia e Pafikës në një ambient familjar ku bashkë me prindërit mendojnë për atë se ka ardhur koha që vajza e tyre të martohet, me një djalë trim, të ndershëm e i gatshëm për të dhënë jetën për liri. Ky djalë ishte Trimori.

Afishe e ngjarjes me pjesëmarrësit
Afishe e ngjarjes me pjesëmarrësit

Kjo pamje romantike shkatërrohet në momentin kur marrin vesh se forcat e Perandorisë osmane duan të shkatërrojnë çdo aktivitet patriotik të shqiptarëve të Kosovës. Ishte koha kur kjo Perandori, me anë të Xhonturqve mundohej të mashtronte masën se gjoja do t’u sigurojë liri e pavarësi. Në tablon e dytë të aktit të parë tregohet populli shqiptar i armatosur dhe i përgatitur për luftë.

Një nga fshatarët më të pasur Rus Bashi shkon të bisedojë me oficerin kryesor të ushtrisë perandorake Fiqali. Oficeri i ofron flori për marrjen e informatave kryesore për ushtrinë shqiptare. Trimori zbulon qëllimin tradhtar  të Rus Bashit, i cili për të shpëtuar, para gjithë popullit akuzon Trimorin për tradhëti. Në këtë gjendje vetëm Pafika i beson të dashurit.

Trimori mbahet në arrest, gjersa krismat e pushkëve të armikut dëgjohen. Në grykën e Kaçanikut shqiptarët janë vendosur në pritë që të mos e lënë armikun të kalojë. Në aktin e dytë, tabloja e tretë lufta vazhdon. Në atë kohë, Rus Bashi dhe oficeri përpiqen ta rrëmbejnë Pafikën, dashurinë e Trimorit, por nuk ia arrijnë qëllimit sepse Trimori arrin ta çlirojë. Në këtë përleshje Pafika çarmatos dhe e vret Rus Bashin, kurse oficeri i frikësuar ia mbath. Në këtë skenë, si përfundim i të gjithë operës, paraqitet festimi i fitores dhe çlirimit me këngë dhe glorifikimin e trimërisë së Pafikës.