OKB miratoi rezolutën që u jep palestinezëve më shumë të drejta

Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi sot një rezolutë për t’u dhënë palestinezëve “më shumë të drejta dhe privilegje” dhe në të cilën bëhet thirrje që Këshilli i Sigurimit të rishqyrtojë në mënyrë të favorshme kërkesën e Autoritetit Palestinez për të qenë anëtare me të drejta të plota ne OKB, raporton VOA.

Në Asamblenë prej 193 anëtarësh, rezoluta u miratua me 143 vota pro, 9 kundër dhe 25 abstenime. Shtetet e Bashkuara ishin mes 9 vendeve që votuan kundër, bashkë me Izraelin.

Në 18 prill, Shtetet e Bashkuara i vunë veton një projektrezolute në Këshillin e Sigurimit, të mbështetur gjerësisht, që do t’i kishte hapur udhë anëtarësimit me të drejta të plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara, një synim të kahershëm të palestinezëve që Izraeli është përpjekur ta pengojë.

Zëvendës ambasadori amerikan në OKB Robert Wood e bëri të qartë të enjten se administrata e zotit Biden është kundër rezolutës së Asamblesë.

“Kemi qenë shumë të qartë që në fillim se rruga për të bërë të mundur anëtarësimin e plotë të Autoritetit Palestinez në Kombet e Bashkuara është përmes negociatave me Izraelin. Ky vazhdon të jetë qëndrimi ynë”, tha ai.

Territoret palestineze morën statusin e shtet vëzhgues, jo-anëtar të OKB-së, në vitin 2012.