Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri-Perëndimore (OEMVP) ka reaguar ndaj kushteve të përcaktuara në thirrjen publike të Qeverisë për dhënien e vauçerëve për studentët. Ata thonë se kriteret diskriminojnë bizneset e vogla dhe të mesme, transmeton Portalb.mk.
“Kushtin nga masa e Qeverisë për dhënien e vauçerëve prej 250 € për studentët për blerje të laptopëve apo tabletëve, që kompanitë të kenë minimum dy ekspozitura në territorin e vendit, OEMVP e vlerëson si kriter diskriminues.
Ky kufizim i përjashton shumicën e bizneseve të vogla dhe të mesme, të cilat në shumicën e rasteve operojnë vetëm me një ekspoziturë, por megjithatë ofrojnë shërbime cilësore dhe profesionale dhe krijon konkurrencë jo të barabartë, duke favorizuar vetëm operatorët më të mëdhenj.
OEMVP u bënë thirrje institucioneve përkatëse që të rishikojnë kushtet e thirrjes publike dhe të mundësojnë qasje të barabartë për të gjitha kompanitë në mënyrë që të shmanget krijimi i konkurrencës jolojale dhe të sigurohet trajtim i drejtë për të gjithë operatorët ekonomikë“, thuhet në reagimin e Odës.
Ky propozim i shumicës parlamentare, u miratua në seancën e 60-të parlamentare, ku u miratuan edhe propozime tjera ligjore. Qeveria pritet të shpenzojë 850 milionë euro për zbatimin e këtij ligji.
Në kuadër të seancës së 62-të, deputetët e miratuan Ligjin për aktivitetin inovativ, zhvillimin shkencor dhe teknologjik dhe sipërmarrjen.
Kujtojmë se, më 15 korrik, Shumica parlamentare e dorëzoi në Kuvendin e RMV-së propozim-ligjin me të cilin mundësohet ndarja e vauçerëve për studentët- 250 euro, me të cilët ata mund të blejnë kompjuterë apo tabletë. Ndërkaq, i njëjti u miratua më 24 korrik.
Vauçerët prej 250 eurove për pajisjet elektronike për studentët fillimisht u paralajmëruan në tetor 2024 nga kryeministri Hristijan Mickoski, por që atëherë e deri tani studentët nuk i kanë marrë të njëjtat.