Këshilli i Komunës kundër paraleles shqipe në gjimnazin e Velesit

Këshilli i Komunës së Velesit votoi kundër vendimit të Ministrisë së Arsimit për themelimin e dy paraleleve shtesë në gjimnazin “Koço Racin”, nga një në gjuhën maqedonase dhe shqipe, transmeton Portalb.mk.

Më saktësisht, sipas konkursit të shpallur para disa muajsh dhe në të cilin ishin përcaktuar qartë kriteret dhe sipas numrit të nxënësve të regjistruar për regjistrim në vitin e parë, këshilltarët vendosën që numri i paraleleve në shkollën e mesme të jetë katër në maqedonisht dhe një në shqip.

“Është kërkuar që të pranohen nxënës me pikë më të ulët se konkursi që parashikon 60+ dhe me çdo kusht të ketë dy paralele shqipe në gjimnazin e Velesit dhe një në shkollën ekonomike. Dhe tani e di që menjëherë do të fillojnë të përdorin të gjitha mekanizmat e presionit, do të gjejnë mënyrë ose nuk do të kërkojnë fare dhe do t’i heqin ingerencat gjimnazit, por është e rëndësishme që sot nuk është shkelur as ligji për arsimin e mesëm dhe as ndonjë akt nënligjorë. Me këtë dua t’i dërgoj një mesazh të qartë drejtorit dhe ministrit të Arsimit: Askush nuk është mbi ligjin, askush nuk është kundër shqiptarëve, por duhet të ketë rregull! Çdo qytetar i Maqedonisë duhet t’i respektojë ligjet nëse mendon mirë për vendin”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së nga Velesi, Igor Zdravkovski.

MASh-i kërkoi që në këtë afat në gjimnaz të regjistrohen të gjithë nxënësit e shkollave të mesme që konkuruan pas afatit të tretë.

 

“E dini që shpalljet për regjistrim në gjimnaz janë nga muajt prill dhe maj. Në shpallje, numri i paraleleve miratohet kur miratohet edhe shpallja. Në periudhën e parë të regjistrimit në të njëjtën komunë ku janë hapur dy paralele shtesë, në afatin e parë të regjistrimit janë paraqitur 22 nxënës të cilët plotësojnë kriteret sipas konkursit të atëhershëm. Në komunën e Velesit, ku kemi të drejtën kushtetuese për arsimin e mesëm të obligueshëm, nuk duhet t’i lëmë fëmijët të përfundojnë shkollimin vetëm sepse kanë pasur disa pikë më pak”, tha dje ministri Shaqiri i cili nuk pajtohet me kërkesat e arsimtarëve e gjimnazit që atje të mësojnë vetëm ata më të mirët ose ata që i plotësojnë kriteret e larta.

Vendimi i tij krijoi revoltë tek pedagogët dhe prindërit e nxënësve të cilët nuk e kanë problem hapjen e një paraleleje shqipe siç thuhet nga MASh, por janë të pakënaqur që nxënësit me rezultate të dobëta të pranohen.

“Padrejtësi të tilla ndodhin në periudhën e fundit të regjistrimit, e cila pasi mbaroi, morëm urdhër nga MASh për të pranuar të gjithë nxënësit që aplikuan. Me vjen shumë keq dhe ndjej përgjegjësi, dua t’u kërkoj falje të gjithë prinderve femijet e te cilëve nuk u pranuan me 59 pike, gjegjësisht u refuzuan sepse nuk plotësonin kushtet e përcaktuara nga konkursi dhe tani jemi të detyruar te pranojmë nxënës me 41 pikë, gjegjësisht me sukses të mirë. Konsiderojmë se fëmijët nuk trajtohen në mënyrë të barabartë dhe si mësues nuk mund të heshtim”, theksoi profesor Nikolovski.