Muajt e ardhshëm në autostradën Ohër – Kërçovë do të lëshohen për përdorim dhjetë kilometrat më problematike, premtoi Nikolloski
Ministri për Transport, Aleksandar Nikolloski, sot i vizitoi punimet në rrugën Ohër – Kërçovë, duke premtuar që muajt e ardhshëm do të mund të shfrytëzohen dhjetë kilometrat më problematik, transmeton Portalb.mk.
“Ndërtimi i autostradës Ohër – Kërçovë po zhvillohet ne dinamikë të shkëlqyer. Intenzivisht po ndërtohen galeritë, në muajin e ardhshëm do të lëshohen për qarkullim dhjetë kilometrat më të komplikuar”, deklaroi Nikolloski, i cili theksoi se është planifikuar ndërtimi i tetë galerive.
Ministri Nikolloski sqaroi që dy galeritë tashmë kanë përfunduar plotësisht, ndërsa në të tretën po punohet intenzivisht, sikurse edhe te urat dhe tunelet, duke përfshirë edhe tunelin prej 2.1 kilometra, më të gjatin në RMV
Gjithë këto elemente do të jenë pjesë të dhjetë kilometrit të ardhshëm.
Në shkurt të këtij viti, u njoftua se autostrada Kërçovë-Ohër do të përfundojë me një shumë të re prej 186 milionë eurosh dhe një afat deri në qershor të vitit të ardhshëm. Në mars, drejtori i NPRRSh-së, Koce Trajanovski, nënshkroi aneks të ri, të tetë, të marrëveshjes midis NPRRSh-së dhe Sinohodron kineze, ndërsa paratë janë të destinuara posaçërisht për stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut duke ndërtuar 14 galeri. Këto fonde, sipas njoftimit të sotëm, duket se janë siguruar në formën e kredive nga bankat vendase. Autostrada është e gjatë 57 kilometra, nga të cilat deri më tani janë hapur rreth 40 kilometra.
Autostrada ka qenë në ndërtim e sipër për më shumë se 12 vjet, dhe projekti u nis nga ish-kryeministri Nikolla Gruevski, i cili tani është i dënuar me burg dhe gëzon azil në Hungari. Rasti i financimit të autostradës përmes një kredie nga Banka kineze Eksim ishte një nga rastet e Prokurorisë Speciale Publike, i quajtur “Trajektorja”. Ndër të pandehurit, përveç Gruevskit, ishin ish-zëvendëskryeministri Vlladimir Peshevski, ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve Mile Janakieski, si dhe ish-drejtori i NPRRSh-së, Ljupço Georgievski. Akuzat kundër tyre në këtë rast u vjetërsuan pas ndryshimeve në Kodin Penal të miratuara nga qeveria e mëparshme, e udhëhequr nga Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) dhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Akuzat ishin se në këtë rast buxheti i shtetit ishte dëmtuar me 155 milionë euro. Më parë, për vite me radhë, çështja ishte zvarritur nëpër labirintet gjyqësore.
- LEXO: Ndërtimi i rrugës Tetovë-Gostivar-Bukojçan do të zgjatet deri në fund të vitit 2029
- LEXO: Nikolloski: Janë siguruar 175 milionë euro mjete shtesë për përfundimin e autostradës Kërçovë-Ohër
- LEXO: Mickoski: Për autostradën Kërçovë-Ohër nuk po marrim më kredi nga banka kineze Eksim
- LEXO: Autostrada Kërçovë-Ohër përsëri u shtrenjtua, me një aneks të ri prej 803 milionë eurosh