Nuk u ndërtua fabrika për riciklimin e mbeturinave siç premtoi Kasami para zgjedhjeve
Ndërtimi i fabrikës për riciklimin e mbeturinave mbetet premtim i pa realizuar i Komunës së Tetovës, shkruan Portalb.mk.
Në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe ndërtimin e një fabrike për riciklimin e mbeturinave.
Te pjesa e ekologjisë dhe mjedisit, konkretisht në faqe 25 thuhet:
“Partneritet publiko-privar për ndërtimin e një fabrike për riciklimin e mbeturinave, në bashkëpunim me qeverinë dhe komunat e Pollogut, me çka do të mundësojmë eliminimin e plotë të deponive të egra, ruajtjen e shëndetit dhe hapjen e vendeve të reja të punës”.
Por, gati se katër vite më vonë prej kur Kasami erdhi në krye të Komunës së Tetovës, kjo fabrikë nuk është ndërtuar.
Nga Komuna e Tetovës nuk përgjigjen në pyetjet gazetareske për mosrealizimin e këtij premtimi.
Përndryshe, menanxhimi me mbeturinat mbeti problem i pazgjidhur edhe në mandatin e Kasamit, ndonëse me 10 nëntor 2023Komuna e Tetovës nënshkroi marrëveshje për partneritet publiko-privat me kompaninë sllovene të grupacionit “Saubermaher” për menaxhimin e mbeturinave, në terren pati përmirësime, por ende nuk ka zgjidhje të plotë të problemit.
Në ndërkohë, rajoni i Pollogut pritet që në vitin 2027 të ketë deponi moderne rajonale sipas standardeve të Bashkimit Evropian. Hapja e tenderit për këtë projekt vazhdimisht është zvarritur, ndërsa e njëjta pritet të publikohet në shtator të këtij viti.