Nuk ka kritere të reja për anëtarësimin në BE, deklarata e Kos nuk i referohet Maqedonisë, tha Mickoski

Nuk ka kritere të reja kur bëhet fjalë për anëtarësimin e vendeve kandidate në Bashkimin Evropian (BE), të paktën tani për tani, deklaroi sot kryeministri Hristijan Mickoski, i pyetur për koment në lidhje me deklaratën e fundit të eurokomisares Marta Kos rreth reformave që planifikohen në Union sa i përket zgjerimit, transmeton Portalb.mk.

Sipas Mickoskit, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë më tej, duke theksuar se ka, siç tha ai, disa sfida që qëndrojnë jo vetëm para nesh si shtet, por edhe brenda vetë Bashkimit Evropian.

Kryeministri vlerëson se deklarata e eurokomisares për Zgjerim është dhënë në një konotacion tjetër dhe se nuk i referohet Maqedonisë si shtet. Ai thotë se atë që është jashtë kushteve bilaterale, duke aluduar në kërkesën e Sofjes për ndryshime kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve, vendi do ta përmbushë plotësisht dhe se deri tani në reformat e ka dëshmuar veten si më i miri.

“Ne kemi politikë plotësisht të harmonizuar të sigurisë dhe politikës së jashtme me Bashkimin Evropian, kemi besim absolutisht të plotë në kuadër të Bashkimit Evropian, po punojmë në Agjendën e Reformave, në raportin e dhjetorit ishim më të mirët, të njëjtën gjë e pres edhe në raportin e qershorit. Vazhdojmë në këtë drejtim edhe në periudhën që vjen. Pra, atë që është detyrim i yni jashtë kushteve bilaterale, ne do ta përmbushim dhe do të jemi më të mirët dhe jemi më të mirët”, deklaroi Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas aktivitetit të sotëm në Qeveri, ku u nënshkrua Marrëveshja për projektimin dhe ndërtimin e gazsjellësit interkonektiv ndërmjet Maqedonisë dhe Serbisë.

Eurokomisarja për Zgjerim, Marta Kos, në Konferencën e Ambasadorëve Kroatë, e cila këtë javë u mbajt në Zagreb, tha se zgjerimi nuk nënkupton një BE më të madhe, por një BE më të fortë.

Ajo, duke prezantuar propozimin e Komisionit Evropian për reformimin e zgjerimit të Unionit, paraqiti disa nga hapat e planifikuar për integrim gradual, verifikim më të rreptë të vendeve kandidate dhe metodologji të re, duke theksuar se bota ka ndryshuar dhe bashkë me të duhet të ndryshojë edhe vetë procesi i zgjerimit të Unionit.

“Bëhet fjalë për krijimin e një Evrope të aftë për t’i siguruar interesat e veta, përballë konkurrencës gjithnjë e më të madhe nga fuqitë e tjera globale. Në këtë mund të jemi të suksesshëm vetëm nëse e stabilizojmë kontinentin tonë dhe në BE i përfshijmë ato vende kandidate që i përmbushin detyrimet e tyre. Sepse asnjë vend evropian nuk do të mundej i vetëm. Zgjerimi është stabilizues gjeopolitik i Evropës”, tha ajo.

Kos paralajmëroi se Komisioni Evropian në shtator do t’i prezantojë idetë e tij për mënyrën se si Bashkimi Evropian duhet të përgatitet ndërsa vendet kandidate afrohen drejt vijës së finishit të negociatave për anëtarësim.

Sipas saj, BE-ja duhet të përballet me katër çështje për të arritur konsensus në nivelin më të lartë dhe për t’u “uruar mirëseardhjen” shteteve të reja anëtare.

Ndikimi që anëtarët e rinj mund të kenë mbi Unionin, reformat e brendshme që i nevojiten BE-së për të mbetur fleksibile me një numër më të madh shtetesh anëtare, forcimi që çdo anëtar i ri duhet t’i sjellë Unionit – në aspektin politik, ekonomik dhe të sigurisë, si dhe një zgjerim që mund t’i përgjigjet realitetit të sotëm, janë katër elementet që eurokomisarja i përmendi në lidhje me procesin e pranimit të shteteve të reja anëtare.

“Na duhet sukses i dëshmuar në zbatimin e reformave dhe detyrimeve të marra përmes procesit të anëtarësimit. Duhet të sigurohemi që të mos lejojmë kuaj trojanë brenda. As sot, as pas 10 apo 20 vitesh. Përvoja e fundit ka treguar se mund të nevojiten masa më të fuqishme mbrojtëse për të parandaluar dhe, nëse është e nevojshme, për të korrigjuar shkeljet e parimeve dhe vlerave themelore të Unionit tonë”, tha Kos në Zagreb.

Ajo në fund të fjalimit të saj tha se nuk mund të pritet deri në ditën e anëtarësimit që Unioni të fillojë t’i lidhë anëtarët e tij të ardhshëm me sistemet nga të cilat varen BE-ja dhe shtetet e saj anëtare.

“Bota ka ndryshuar. Edhe zgjerimi duhet të ndryshojë bashkë me të. Nëse ndërtojmë konsensus rreth këtyre katër elementeve, mund ta bëjmë sërish zgjerimin një instrument të suksesshëm të fuqisë evropiane”, deklaroi Kos.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbetet e ngujuar në rrugëtimin drejt BE-së, shkaku i kontestit me Bullgarinë fqinje. RMV duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të vazhduar rrugën drejt BE-së. Ndryshimi kushtetutës përfshin shtimin e bullgarëve dhe etnive tjera në Kushtetutë. Ndryshimi kërkon shumicë prej dy të tretash dhe negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen këto ndryshime. Qeveria aktuale në Shkup ka deklaruar se nuk do t’i bëjë këto ndryshime.

Me kusht të ndryshimi të Kushtetutës, Maqedonia e Veriut më 19 korrik të vitit 2022 i filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022. Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.