Nuk ka dëshmi se vaksinat përmbajnë oksid grafeni

Teoria konspirative se vaksinat përmbajnë oksid grafeni u përhap veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-it, kur u shpërndanë dezinformata se me vaksinat kundër COVID-it kjo substancë u futej njerëzve në trup. ‘Vërtetmatësi’ ka shkruar disa herë deri tani për këtë temë, duke treguar se bëhet fjalë për një dezinformatë anti vaksinë, shkruan Vërtetmatësi.

Po analizojmë një postim në Facebook në të cilin thuhet:

“Shkrova para disa ditësh: T’u ndihmojmë të vaksinuarve me oksid grafeni!!”

Postimi në mënyrë të pabazuar dhe pa asnjë provë pretendon se personat që janë vaksinuar kanë oksid grafeni në trupin e tyre, përkatësisht se vaksinat përmbajnë oksid grafeni. Ky pretendim nuk është i vërtetë.

Teoria konspirative se vaksinat përmbajnë oksid grafeni u përhap veçanërisht gjatë pandemisë së COVID-19, kur u shpërndanë dezinformata se përmes vaksinave kundër COVID-it kjo substancë futet në trupin e njerëzve. “Vërtetmatësi” ka shkruar disa herë për këtë temë.

Nuk është e vërtetë që vaksinat kundër COVID-19 përmbajnë oksid grafeni. Më së shpeshti kjo dezinformatë në fushatën antivaksinë ndaj COVID-it është lidhur me vaksinën e “Pfizer”-it. Madje edhe Administrata Amerikane për Ushqim dhe Barna (FDA) për Associated Press është dashur ta mohojë qartë se vaksina përmban oksid grafeni.

Siç është shpjeguar në një artikull të publikuar në revistën “Frontiers of Physics” në janar të vitit 2019, oksidi i grafenit është një material që krijohet përmes oksidimit të grafenit. Grafeni është një shtresë e vetme e grafitit (substanca e butë që ndodhet në majat e lapsave për shkrim). Oksidi i grafenit ka përdorime potenciale në elektronikë, optikë, kimi, ruajtje të energjisë dhe biologji. Associated Press raportoi se, edhe pse ka pasur kërkime nëse oksidi i grafenit është përdorur në disa vaksina (në sasi që nuk do të ishin toksike për njeriun), ky material nuk gjendet në listën e përbërësve të vaksinës së Pfizer-it apo ndonjë vaksine tjetër.

Nga Administrata për Ushqim dhe Barna (FDA), në një deklaratë për Full Fact, është konfirmuar se vaksinat kundër COVID-it nuk përmbajnë oksid grafeni.

Edhe nga “Pfizer”, për Full Fact, kanë deklaruar:

“Oksidi i grafenit nuk përdoret në prodhimin e vaksinës kundër COVID-19 të ‘Pfizer’/’BioNTech’. Oksidi i grafenit nuk përdoret në procesin e prodhimit dhe nuk gjendet as në lëndët e para, as në produktin final të vaksinës.”

Nuk ekzistojnë dëshmi që ndonjë vaksinë përmban oksid grafeni.

Për shkak të të gjitha fakteve më sipër, postimin që po e analizojmë e vlerësojmë si të pavërtetë.