Nuk është e vërtetë që të gjitha frutat dhe perimet në BE janë OMGJ

Nuk mund të konfirmohet që personi që ka xhiruar videon është me të vërtetë ukrainas dhe se është refugjat dhe nuk ka asnjë provë që ushqimi i paraqitur është i modifikuar gjenetikisht. Më së shumti janë frutat dhe perimet që paketohen dhe videografja i shkatërron duke thënë se “ushqimi në BE nuk ka asnjë vlerë ushqyese”, që natyrisht është e pavërtetë. BE dhe Gjermania kontrollojnë rreptësisht se çfarë ushqimi prodhohet, kanë standarde që zbatohen për sigurinë ushqimore dhe respektojnë të drejtën e qytetarëve për t’u informuar se çfarë ushqimi po blejnë dhe për të bërë një zgjedhje. Përveç kësaj, në Gjermani ka një iniciativë dhe etiketim të ushqimit në varësi të faktit nëse është OMGJ(Organizma të modifikuar gjenetikisht) apo jo. Gjithashtu, OMGJ nuk do të thotë që ushqimi nuk është i sigurt, transmeton Vërtetmatësi.

Po shqyrtojmë një postim në rrjetin social Facebook ku thuhet:

BASHKIMI EUROPIAN. “Refugjati” ukrainas urren jetën në Gjermani dhe shkatërron ushqimin në supermarketin gjerman ndërsa ankohet; janë të gjitha mbeturina, të modifikuara gjenetikisht, pa erë. Ai do të shkojë në shtëpi.

Bashkë me postimin shfaqet një video në të cilën dëgjohet një zë mashkulli duke regjistruar në një supermarket dhe thotë se “nëse dikush ka iluzione për Bashkimin Evropian, do t’i tregojë disa gjëra për BE-në”. Burri lëviz në supermarket dhe shkatërron në mënyrë agresive frutat dhe perimet, ndërsa thotë se janë “prej plastikës, pa erë”, “pa shije”, “pa vlera ushqyese”,dhe për rrushin në raft thotë se është vetëm pak sheqer me ujë. Në prezantimin e tij ai thotë se gjithçka është modifikuar dhe se nuk mund të hajë ushqimin e tyre.

Kjo është Europa. Më pëlqeu jeta në Ukrainë. Çfarë bërtisnin ata në Maidan? Mjaltë? Mendoni se është mjaltë?, shton zëri mashkullor teksa vazhdon turin e tij në supermarket duke kritikuar dhe hedhur në mënyrë agresive frutat, perimet dhe duke përplasur kavanozët me mjaltë.

Nuk mund të thuhet nëse personi i adresuar në video është në fakt nga Ukraina. Dhe nuk mund të thuhet nëse ai jeton prej kohësh në Gjermani (në video është një supermarket gjerman) apo sapo ka ardhur pas fillimit të pushtimit ushtarak rus në Ukrainë.

Më 2 gusht 2019, Departamenti i Bujqësisë i Shteteve të Bashkuara raportoi se preferencat e blerësve gjermanë për produkte jo të gjeneruara gjenetikisht po nxisin kërkesën e lartë në tregun e ushqimit të kafshëve pa OMGJ.

Programi gjerman i etiketimit të ushqimeve pa OMGJ gjeneroi 11 miliardë dollarë në shitje në 2018, një rritje prej 41 për qind krahasuar me 2017. Vendi ka për detyrë të sigurojë që ushqimi OMGJ të etiketohet qartë se përmban përbërës të modifikuar gjenetikisht. Për t’u dhënë konsumatorëve të saj të drejtën të zgjedhin nëse do të blejnë mish dhe produkte qumështi jo-OMGJ, Gjermania krijoi një program në vitin 2008. Në vitin 2010, Ministria e Bujqësisë autorizoi një shoqatë për ushqime pa inxhinieri gjenetike për të licencuar dhe shpërndarë këtë etiketë.

Në këtë shoqatë ka përfaqësues të të gjithë sektorëve – për produktet e qumështit, frutat, perimet, mishin dhe pijet. Qumështi pa OMGJ ka shitjet më të larta. Zinxhirë të shumtë supermarketesh si Aldi, Reve, Schwartz dhe Edeka kanë vendosur këtë etiketë në produktet e tyre.

Organizmat e modifikuar gjenetikisht janë organizma të cilëve u është ndryshuar ADN-ja për të ndryshuar karakteristikat e tyre. Kulturat e drithërave që janë OMGJ mund të jenë më rezistente ndaj insekteve, thatësirës ose të pasurohen me lëndë ushqyese, shkruan Dojçe Vele.

Sipas David Spencer, fitopatolog dhe zëdhënës për Replanet, një aleancë e organizatave joqeveritare që mbrojnë zgjidhje të bazuara në shkencë për ndryshimin e klimës:

Modifikimi gjenetik nuk është gjë tjetër veçse një teknikë mbarështimi, njëlloj si kryqëzimi që kemi bërë për mijëra vjet. Por është më i sofistikuar, kështu që ne mund të bëjmë ndryshime shumë të sakta shumë shpejt.

OMGJ-të u prezantuan për herë të parë në SHBA në 1994, me bimë domate të modifikuara që piqen më ngadalë për të zgjatur jetëgjatësinë. Që atëherë, një shumëllojshmëri e gjerë kulturash si soja, gruri dhe orizi janë miratuar për përdorim bujqësor së bashku me bakteret MGJ që janë edukuar për të prodhuar sasi të mëdha proteinash.

Shkencëtarët në Indi kanë krijuar oriz që është shumë më rezistent ndaj përmbytjeve. Përmbytjet janë problemi më i madh në kultivimin e orizit në Indinë veriore dhe Bangladesh.

Produktet që rrjedhin ose përmbajnë organizma të modifikuar gjenetikisht, kontrollohen rreptësisht dhe ka zero tolerancë për OMGJ-të ilegale në BE. 

Ushqimi dhe ushqimii kafshëve nga OMGJ ose që përmbajnë OMGJ mund të lejohen në tregun e BE-së vetëm pasi OMGJ-të të jenë miratuar nga BE-ja, pas një procedure që përfshin një vlerësim të plotë të rrezikut nga Agjencia Evropiane e Sigurisë Ushqimore në bazë të dosjes së nevojshme për autorizim, të ofruar nga aplikanti, pra zhvilluesi i OMGJ-së.

Politika e BE-së për OMGJ respekton të drejtën e konsumatorit për të ditur duke i dhënë këtë informacion etiketimit të qartë të OMGJ-ve. Kjo kërkon metoda të besueshme për zbulimin, identifikimin dhe sasinë e tyre për OMGJ-të e autorizuara në ushqim, ushqim për kafshë dhe mjedis. Siç mund ta shihni në linkun e mëposhtëm, ushqimi OMGJ në Gjermani i nënshtrohet rregulloreve dhe miratimeve strikte. 

Në publikimin që po shqyrtojmë, nuk ka asnjë dëshmi se ushqimi që prezantohet është i modifikuar gjenetikisht. Janë kryesisht frutat dhe perimet që paketohen dhe videografi i shkatërron duke thënë se ushqimi në BE nuk ka asnjë vlerë ushqyese, gjë që sigurisht është e pavërtetë.

Përveç kësaj, Ukraina ka zbatuar së fundmi një ligj që do të lejojë harmonizimin sistematik të legjislacionit ukrainas me atë të BE-së në lidhje me OMGJ-të. Gjithashtu, nuk mund të konfirmohet se personi që ka xhiruar videon është vërtet ukrainas dhe se ai është refugjat. Është gjithashtu e mundur që të flasim për dikë që paraqitet si i tillë, por në fakt punon për kauzën e shkatërrimit të imazhit të ushqimit në BE dhe në Gjermani, përmes një revolte dramatike.

E vërteta është se BE-ja dhe Gjermania kontrollojnë rreptësisht se çfarë ushqimi prodhohet, kanë standarde që zbatohen për sigurinë ushqimore dhe respektojnë të drejtën e qytetarëve për t’u informuar se çfarë ushqimi blejnë dhe bëjnë zgjedhje. Pa hyrë në preferencat dhe shijet personale, në një supermarket të plotë është e sigurt që ka diçka për të gjithë, domethënë përzgjedhja është shumë e madhe. Përveç kësaj, në Gjermani ka një iniciativë dhe etiketim të ushqimit në varësi të faktit nëse është OMGJ apo jo. Dhe gjithashtu, OMGJ nuk do të thotë se ushqimi nuk është i sigurt.

Për të gjitha faktet e mësipërme, vlerësojmë se nuk është e vërtetë që të gjitha frutat dhe perimet në BE janë OMGJ.