Nuk e pagoi tatimin nga shitja e naftës dhe e dëmtoi buxhetin e shtetit për 117 mijë euro, Policia Financiare ngriti kallëzim penal
Policia Financiare ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike Shkup kundër një personi fizik, menaxher dhe pronar i një personi juridik, si dhe kundër vetë personit juridik, për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale “Shmangie tatimore” nga neni 279 dhe “Falsifikim ose asgjësim i librave afaristë” nga neni 280 i Kodit Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, transmeton Portalb.mk.
Siç njofton Policia Financiare, i padituri i parë M.D., në cilësinë e pronarit dhe menaxherit të personit juridik, në vitin 2021, me vetëdije dhe me qëllim të paracaktuar, me synim për të përfituar pasuri të kundërligjshme për vete dhe për subjektin juridik të paditur të dytë, përmes regjistrimeve fiktive në kontabilitet ka përvetësuar mjetet financiare të arkëtuara nga shitja e naftës dhe derivateve të naftës në vlerë prej 7.040.484 denarë, duke mos llogaritur dhe mos paguar tatim mbi të ardhurat personale në vlerë totale prej 782.198 denarë.
“Përveç kësaj, i padituri i parë M.D., përmes regjistrimeve fiktive në kontabilitet, ka zvogëluar stokun e evidentuar në llogarinë 6630 në vlerë prej 7.040.484 denarë, ndërsa njëkohësisht ka bërë zvogëlim të të ardhurave në llogarinë 7411 në vlerë prej 3.222.664 denarë, zvogëlim të detyrimit për TVSH të evidentuar në llogarinë 2301 në vlerë prej 580.003 denarë dhe rritje të vlerës së blerjes së mallrave të shitura në llogarinë 701000 në vlerë prej 3.425.798 denarë”, informoi Policia Financiare.
Me këto veprime, ata thonë se i dyshuari nuk ka llogaritur dhe nuk ka paguar tatim mbi vlerën e shtuar në vlerë totale prej 1.653.677 denarë, tatim mbi të ardhurat personale në vlerë prej 782.198 denarë dhe tatim mbi fitimin në vlerë prej 664.846 denarë.
“Gjithashtu, i padituri i parë M.D., në vitin 2024, me vetëdije dhe qëllimshëm, stokun e evidentuar në llogarinë 6630 – “Mallra në shitore me normë prej 18%” në vlerë prej 12.630.670 denarë, e ka përvetësuar për vete dhe nuk e ka evidentuar në regjistrat kontabël të subjektit juridik të paditur të dytë si mungesë, me ç’rast nuk ka llogaritur dhe nuk ka paguar TVSH në vlerë prej 1.925.177 denarë dhe tatim mbi të ardhurat personale në vlerë prej 1.403.267 denarë”, tha Policia Financiare.
Me veprimet e përshkruara, i padituri i parë M.D. dhe personi juridik i paditur i dytë i kanë shkaktuar dëm Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në vlerë totale prej 7.211.359 denarë apo rreth 117 mijë euro.