Nuk e do Shqipëria?

Shkruan: Naim Iljazi

Nuk mund të ketë ndjesi për atdheun ai që përdhos flamurin. Ndjesia e përkatësisë asgjësohet në çastin kur profanohet simboli i saj sublim.

Ndonëse në një shoqëri të hapur demokratike askujt nuk mund t’i imponohet identiteti etnik apo ndjesia e të qenit shqiptar thjesht prej faktit gjeografik se banon brenda kufijve administrativë të Shqipërisë, kjo liri nuk legjitimon asnjë individ apo grup të cenojë dinjitetin e emblemës sonë përfaqësuese, që nuk i takon vetëm një territori administrativë, por është shumë më tepër. Mospajtimet politike, asimetritë shoqërore apo divergjencat ideologjike të ditës nuk mund të shërbejnë kurrsesi si alibi për t’u shndërruar në një akt agresioni ndaj një flamuri i cili, veçanërisht për miliona bashkëkombës jashtë perimetrit shtetëror të Republikës, përbën vetë boshtin ontologjik të historisë, sakrificës dhe ekzistencës së tyre kolektive. Përbënë identitet!

Gjeopolitika dhe historia dëshmojnë vazhdimisht se kufijtë shtetërorë shpesh hyjnë në disonancë të thellë me gjeografinë shpirtërore të një populli, mirëpo ekziston një vijë e qartë “demarkacioni” midis mosidentifikimit me një shtet dhe përdhosjes së simbolit të një kombi. E para është liri. E dyta është fyerje.

Shqiponja dykrenshe nuk është një monopol juridik i qeverive apo institucioneve kalimtare të Shqipërisë administrative, por një aset shpirtëror i trashëguar mbarëkombëtar. Rrjedhimisht, nëse segmente të caktuara të shoqërisë nuk gjejnë përfaqësim tek kombi, ata gëzojnë lirinë e plotë politike për të kërkuar emblema të reja qeverisëse, dhe Republika administrative, në ekstremitetin e saj absurd, madje mund të adoptojë edhe portretin e një gomari si flamur të sajin zyrtar, por askujt nuk i jepet e drejta për të përdhosur një simbol që tejkalon juridiksionin dhe vullnetin e kufizuar të një territori të vetëm.

Flamuri kombëtar duhet të ruajë domosdoshmërisht paprekshmërinë e tij metafizike, jashtë çdo ekuacioni apo instrumenti partizan. Ndërsa hapësira publike dhe digjitale është e lirë të akomodojë flamuj shtetërorë, partiakë apo eksperimente të tjera politiko-institucionale sipas bindjeve të gjithsecilit, por simboli që mbart identitetin e pacenuar të kombit nuk mund të reduktohet asnjëherë në një arenë ku shkarkohen mllefet, antagonizmat apo provokimet e politikës ditore. Sepse, në instancë të fundit, çdo akt përdhosjeje ndaj këtij simboli nuk dëmton thjesht një artefakt fizik, por përdhunon vetë identitetin, kujtesën historike, sublimimin e sakrificës dhe dinjitetin ontologjik të një kombi të tërë.

Flamuri kombëtar le të mbetet flamur kombëtar. Nëse republika nuk e do, kombi i del për zot, kombi e ka trashëguar para se republika të lindë. Flamuri ka mbijetuar pushtues, do të mbijetojë edhe mosnjohjen e dordolecëve të republikës. Rreth flamurit të përbashkuar!