Një teknik i anesteziologjisë nga Qendra Klinike dhe lider i “Vëllazërisë së Krishterë” është i arrestuari për vrasjen e djeshme në Ohër

Një teknik i anesteziologjisë nga Klinika Universitare për Traumatologji, Sëmundje Ortopedike, Anestezi, Reanimacion, Mjekim Intensiv dhe Qendër Urgjente, në repartin e anestezisë, reanimacionit dhe mjekimit intensiv, është personi i ndaluar për vrasjen e një 76-vjeçari nga Ohri, trupi i pajetë i të cilit u gjet dje në mëngjes në shtëpinë e tij në Ohër, shkruan 360 gradë, transmeton Portalb.mk.

Siç njoftojnë nga Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), bëhet fjalë për 53-vjeçarin Zharko Grozdanovski, personel mjekësor i njohur për policinë.

“Sipas të dhënave dhe evidencave zyrtare të SPB Tetovë, deri më tani ndaj personit Zh.G. është regjistruar vetëm një vepër penale – rrezikim i sigurisë përmes sistemit kompjuterik. Përveç këtij rasti konkret, nuk ka të dhëna për sanksione apo procedura të tjera penale me vendim të formës së prerë”, thonë nga MPB për “360 Gradë”.

Grozdanovski u privua nga liria dje në orën 17:20, pasi më parë në MPB ishte raportuar se në rrugën “Nada Fileva” në Ohër, në shtëpinë e tij, pa shenja jete ishte gjetur K.M. (76).

Nga Prokuroria Publike thonë se sot po punohet për sigurimin e provave lidhur me rastin dhe se gjatë ditës do të dalin me informacione.

Ndryshe, Zharko Grozdanovski është lider i organizatës “Vëllazëria e Krishterë” dhe ndaj tij në vitin 2019 është ngritur kallëzim penal për kërcënime me vdekje ndaj ish-kryeministrit Zoran Zaev.

Disa nga anëtarët e organizatës “Vëllazëria e Krishterë”, përfshirë edhe Grozdanovskin, morën pjesë në protestat që kulmuan me hyrjen në Kuvend më 27 prill 2017. “Vëllazëria e Krishterë” dhe Grozdanovski ishin gjithashtu pjesë e protestave kundër ndryshimeve kushtetuese në vitin 2018.