Një shtetas turk dyshohet se theri për vdekje vajzën e tij 15 vjeçe në Prizren

Një shtetas turk me banim në Prizren dyshohet se ka therur për vdekje vajzën e tij 15-vjeçe dhe ka plagosur rëndë vajzën tjetër, ka njoftuar Policia e Kosovës, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Po ashtu, lëndime ka marrë edhe gruaja 35-vjeçare e të dyshuarit.

I dyshuari M.G., i lindur më 1981 raportohet se ka plagosur veten dhe është dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Sipas Policisë, emergjenca mjekësore nuk ka arritur të ndërhyjë menjëherë në vendin e ngjarjes, pasi i dyshuari qëndronte aty me thikë në dorë. Si pasojë, në vend u dërguan disa patrulla policore.

Vajza e lënduar rëndë është dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë.

Policia ka konfirmuar se të gjithë të përfshirët janë shtetas turq me banim të përkohshëm në Prizren.