Një rrëfim mbi dashurinë më të bukur ndërmjet dy njerëzve
Ky nuk është rrëfimi i Romeos dhe Zhulietës, as i Kajsit dhe Lejlës. Ajo që dua t’ju tregoj është historia më e mrekullueshme e dashurisë, që ekziston që nga krijimi i njeriut të parë. Ndoshta mendoni se ç’lidhje ka kjo me Islamin, por ky rrëfim përcakton vetë konceptin e dashurisë. Ndryshe nga personazhet e letërsisë botërore, këtu interpretuesit kryesorë janë Ademi dhe Hava (alejhi-selam).
Për ta kuptuar këtë, kthehemi pas në kohë, kur Allahu (sh.v.t.) e krijoi njeriun nga balta, siç na tregon Kur’ani:
“Ai e krijoi njeriun nga balta e terur si (enë balte) e pjekur.” (55:14)
Allahu e ngriti njeriun, i dha formën më të mirë dhe e pajisi me arsye mbi të gjitha qeniet. Ndonëse jetonte në Xhenet dhe kishte gjithçka në dispozicion, Ademi (a.s.) ndjehej i vetmuar. Edhe pse duket si përrallë, ky është një fakt nga hadithet autentike: ai nuk mund të jetonte i vetëm në Xhenet. Ndjehej jo i plotë dhe kishte nevojë për shoqëri, qetësi dhe dashuri. Allahu (sh.v.t.) iu përgjigj kësaj nevoje duke krijuar Havën nga brinja e tij:
“Ai është Ai që ju krijoi prej një vete, e prej saj krijoi palën e saj për t’u qetësuar pranë saj…” (7:189)
Përse jo të dy përnjëherë? Rrëfimet e Kur’anit nuk janë vetëm për zbavitje, por për meditim. Përse Allahu nuk i krijoi që të dy përnjëherë? Ndoshta që Ademi (a.s.) ta ndjente vetminë dhe të kuptonte se jeta pa partneren nuk është e mundur, madje as në Xhenet. Kjo na mëson se burri dhe gruaja janë dy pjesë plotësuese të së njëjtës ndërtese; asnjëri nuk është i plotë pa tjetrin.
Këtu buron koncepti i bashkëshortësisë në Islam: dy njerëz me rrërrënjë të njëjta, të barabartë në të drejta e detyra, por me dallime që plotësojnë njëri-tjetrin. Gruaja është qetësimi i burrit dhe anasjelltas. Kjo shpjegon hadithin: “Martesa është gjysma e dinit”. Pjesa tjetër e imanit gjendet pikërisht te ky bashkim.
Simbolika e krijimit: Fuqia dhe Butësia Ademi u krijua nga argjili – simbol i forcës dhe fuqisë. Hava u krijua nga brinja – diçka e gjallë, e thyeshme dhe e butë. Kjo tregon se nëse secili kryen detyrën e vet, ata nuk shkëputen kurrë. Kur’ani e krahason këtë harmoni me natën dhe ditën:
“Pasha natën që me errësirë mbulon gjithësinë! Pasha ditën kur ajo shkrepëtin! Pasha Atë që krijoi mashkullin e femrën! Vërtet, veprimi juaj është i llojllojtë.” (92:1-4)
Ashtu si nata dhe dita që e plotësojnë njëra-tjetrën brenda 24 orëve pa mundur të fshihet asnjëra, ashtu janë edhe burri me gruan. Kanë detyra të ndryshme, por të dy janë jetikë.

Mësimi nga gabimi dhe zbritja në Tokë Në Xhenet, të dy u mashtruan nga Iblisi dhe hëngrën nga pema e ndaluar. Allahu i nxori nga Xheneti, por më pas i fali që të dy. Ky moment na kujton se në Tokë jemi vetëm udhëtarë të përkohshëm; shtëpia jonë e vërtetë është Xheneti.
Kur zbritën në tokë, thuhet se Ademi (a.s.) ra në Indi, ndërsa Hava në rrethinën e Xhiddes. Ata e kërkuan njëri-tjetrin me dëshpërim derisa u takuan në Kodrën e Mëshirës (Arafat). Ademi eci qindra kilometra për ta gjetur atë. Kjo simbolizon hapin e parë që duhet të bëjë burri për ta kërkuar gruan, ndërsa ajo ka fjalën e fundit.
Vlera e Gruas: Kjo është arsyeja pse burri duhet të bëjë aq shumë përpjekje për t’ju marrë: t’ju kërkojë, t’ju premtojë mirësjellje, t’ju financojë dhe të marrë Allahun dëshmitar. Fjalën e fundit e keni ju, sepse keni vlerë të madhe te Krijuesi.
Prandaj, është e pakuptueshme si mundet një burrë të ngrejë dorën apo zërin ndaj gruas. Si mund ta bëjë këtë, kur prindi i parë nuk jetonte dot pa të as në Xhenet dhe eci qindra kilometra për ta rigjetur? Profeti ynë (s.a.w.s.), kur mori shpalljen e parë, vrapoi i frikësuar te Hadixhja (r.a.) për të gjetur mbulim dhe qetësi.
Sipas Islamit, lëndimi i ndjenjave të gruas është i rëndë. Ajo është si një “vazo lulesh” – e çmuar, e thyeshme, që kërkon dashuri dhe kujdes të vazhdueshëm.