Një pjesë e shkallëve lëvizëse në “Vero Jumbo” Shkup u shemb në prani të vizitorëve
Një incident ndodhi në qendrën tregtare “Vero Jumbo” në Shkup këto ditë kur një pjesë e shkallës lëvizëse u shemb papritur në prani të vizitorëve. Në rrjetet sociale u postua një video që tregon shkallët metalike të shkallës lëvizëse duke u çarë dhe duke u ndarë, gjë që shkaktoi një moment ankthi tek qytetarët e pranishëm. Sipas dëshmisë së personit që incizoi videon, incidenti ndodhi papritur dhe pa shenja të mëparshme të një defekti, transmeton Portalb.mk.
“Kjo është e tmerrshme, për fat të keq nuk jemi më të sigurt askund. Kjo më ndodhi mua sot në Jumbo – papritmas shkallët e shkallës lëvizëse u çanë, dhe unë isha vetëm një hap përpara”, shkroi qytetarja në postimin e saj.
Sipas informacioneve të deritanishme, askush nuk u lëndua, por ngjarja shkaktoi frikë dhe reagime të mëdha tek vizitorët. Disa qytetarë komentojnë se raste të tilla rihapin temën e sigurisë në hapësirat publike.
Për momentin nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare nga qendra tregtare në lidhje me incidentin.