Një person u gjet i vdekur në Nerasht të Tetovës

Trup i pajetë i një personi është gjetur në rrethana të paqarta në afërsi të fshatit Nerasht, rrethina e Tetovës. Prokurori publik dhe ekipi i SPB Tetovës kanë konstatuar se bëhet fjalë për A.B. nga Tetova, transmeton Portalb.mk.

“Më 24.11.2025 në ora 02:00 në SPB Tetovë, B.B. (33) nga Tetova ka denoncuar se rreth orës 18:00 bashkëshorti i saj A.B. (42) nga Tetova është larguar nga shtëpia me automjetin e tipit “Audi” me targa të Tetovës dhe nuk i është përgjigjur thirrjeve telefonike”, sqaroi Policia e Maqedonisë së Veriut.

Policia në disa ara të fshatit Nerasht e ka gjetur veturën “Audi Q5” me targa të Tetovës, ku ishte gjetur një person mashkull pa shenja jete. Mjeku i ndihmës së shpejtë e konstatoi vdekjen.

“Në xhamin e shoferit ka pasur një vrimë nga një predhë e shkrepur. I njëjti në pjesën e kokës ka qenë i mbuluar me gjak dhe dyshimi fillestar është se personi është qëlluar me armë zjarri”, sqaroi Policia.