Një nga gjithsej njëmbëdhjetë pacientët me Ethe të Nilit Perëndimor është në respirator në Klinikën e Sëmundjeve Infektive
Tre raste të reja me Ethe të Nilit Perëndimor u konfirmuan dje, ndërsa sipas Institutit të Shëndetit Publik (IShP) nga 27 korriku në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar tetë raste me Ethe të Nilit Perëndimor. Me rastet e reja të konfirmuara numri i pacientëve arriti në 11. Në Klinikën për Sëmundje Infektive janë hospitalizuar nëntë persona, ndërsa gjendja e një pacienti 75-vjeçar është e rëndë dhe ai është në kujdes intensiv në respirator, informoi sot drejtori i Klinikës për Sëmundje Infektive, Fadil Cana. Pacientët janë pickuar nga mushkonjat në Greqi, Veles dhe Shkup, transmeton Portalb.mk.
Sipas raportimeve, personi që është në gjendje të rëndë shëndetësore tashmë për një javë është i shtruar në Klinikë dhe nuk ka udhëtuar jashtë vendit.
Të tjerët janë në moshë mbi 60 vjet dhe janë në gjendje stabile, ndërsa vetëm njëri prej tyre ka udhëtuar në Greqi. Të tetë personat kanë inflamacion viral të trurit dhe mbështjellësve të trurit dhe manifestojnë simptoma të tilla si temperaturë të lartë, dhimbje të forta në kokë, çorientim, çrregullim të vetëdijes.
Personat e hospitalizuar e kanë marrë infeksionin nga një mushkonjë e infektuar, ndërsa periudha e inkubacionit zakonisht zgjat nga tre deri në 14 ditë pas pickimit. Shumica e njerëzve që infektohen nuk kanë simptoma dhe as nuk e vënë re se e kanë virusin. Këtë, përmes një postimi në rrjetet sociale, dje e konfirmoi epidemiologu Dragan Danillovski.
“Rreth 20 përqind zhvillojnë sëmundje febrile, zakonisht me një rrjedhë relativisht të lehtë. Forma e rëndë neuroinvazive zhvillohet tek më pak se një përqind e të infektuarve, ndërsa rreziku rritet me rritjen e moshës dhe tek njerëzit me sëmundje të caktuara kronike dhe imunitet të komprometuar. Pikërisht rastet e rënda janë ato që kanë më shumë gjasa të hospitalizohen, të testohen në laborator dhe të hyjnë në statistikat zyrtare. Infeksionet asimptomatike mbeten të padukshme, ndërsa disa nga rastet e lehta ndoshta nuk do të njihen kurrë si Ethe të Nilit Perëndimor. Prandaj, tetë rastet e rënda të regjistruara janë maja e dukshme e “ajsbergut” epidemiologjik. Nën sipërfaqe mbetet një numër i panjohur infeksionesh asimptomatike, forma të lehta ose jo specifike që nuk janë njohur si Ethe të Nilit Perëndimor, si dhe rastet tek njerëz që nuk kanë kërkuar fare ndihmë mjekësore”, ka shkruar Danilovski.
Sipas tij, fakti që shumica e rasteve të regjistruara deri më tani janë autoktone është me rëndësi të veçantë epidemiologjike.
“Kjo vërteton që këtë verë virusi po qarkullon lokalisht në ciklin natyror shpend-mushkonjë dhe se ka ekspozim të popullatës. Në këtë fazë më e rëndësishme është mbikëqyrja e intensifikuar epidemiologjike dhe entomologjike, monitorimi i aktivitetit të virusit, kontrolli sistematik i mushkonjave dhe mbrojtja personale nga pickimi. Pra, në epidemiologji, një numër i izoluar vetë në vete nuk do të thotë asgjë! Ai është fillimi i analizës. Kuptimin e vërtetë e marrim vetëm kur pyesim se nga cila popullatë e ka origjinën, si është regjistruar dhe çfarë ka mbetur e padukshme pas saj”, shkruan Danillovski.
Dy vite më parë një pensionist 78 vjeçar nga Oblesheva, rajoni i Koçanit, u sëmur nga Ethet e Nilit Perëndimor dhe vdiq një javë pasi u shtrua në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendjeve Febrile (KSIGJF). Ky ishte rasti i parë i vdekjes nga kjo sëmundje në vendin tonë.
Instituti i Shëndetit Publik (IShP) këtë vit ka regjistruar katër raste të malaries, tetë me Ethet e Nilit Perëndimor, tre persona me Denga dhe një me virusin Zika. Sëmundjet që transmetohen nga vektorët janë në rritje për shkak të trendeve të reja të energjetikës, si dhe gjendjes gjithnjë e më shqetësuese me ndryshimet klimatike, pra ngrohjen globale, të cilat mundësojnë përhapjen intensive të sëmundjeve infektive në zonat gjeografike ku ato nuk janë regjistruar më parë.
Ethet e Nilit Perëndimor janë infeksion viral i shkaktuar nga virusi i Nilit Perëndimor. Te njerëzit përcillet nëpërmjet pickimit nga mushkonja e infektuar. Nga format e rënda të sëmundjes më të rrezikuar janë personat mbi 60 vjet, personat me sistem imunitar të dobësuar dhe personat me gjendje kronike mjekësore. Për ethet e Nilit Perëndimor nuk ka bar konkret antiviral. Mjekimi ka për qëllim të lehtësojë simptomat në kombinim me pushim, konsumim të lëngjeve dhe barnave për temperaturën dhe dhimbjen. Rastet e rënda shtrohen në spital. Mbrojtja më e mirë është shmangia e pickimit nga mushkonjat duke përdorur repelentë, duke veshur rroba me mëngë të gjata dhe pantallona të gjata, duke instaluar rrjeta mbrojtëse në dritare dhe duke e larguar ujin e ndenjur rreth shtëpisë, si vend ku shumohen mushkonjat. Nëse keni temperaturë të lartë, dhimbje të forta të kokës, bllokim të qafës, konfuzion ose dobësi në krahë ose këmbë pas pickimit nga mushkonja, menjëherë duhet të kërkoni ndihmë mjekësore.