Një i dënuar u ka marrë 4.000 euro dy policëve të burgut të Idrizovës, u premtoi se do t’i punësojë në MPB

Në burgun e Idrizovës javën e kaluar ka pasur kontroll të jashtëzakonshëm për të verifikuar pretendimet e të dënuarve Toni Denkovski dhe Janko Janevski për kërcënim me jetë, reket dhe shantazh, transmeton Portalb.mk.

“Në lidhje me pretendimet e Janko Janevskit, i cili është duke vuajtur dënimin me burgim prej 9 vitesh, se është shantazhuar dhe kërcënuar me jetë për të kthyer 4000 euro brenda 24 orëve, Drejtoria për Ekzekutimin e Sanksioneve zhvilloi një bisedë me dy pjesëtarë të policisë së burgut, të cilët pretendonin se ishin mashtruar nga Janevski, i cili u kishte kërkuar nga 2000 euro, duke u premtuar se do të transferoheshin për të punuar në MPB. Shumën totale prej 4000 euro ia kanë paguar shokut të tij në qendrën tregtare “City Mall”. Pas një periudhe kohore, e kanë kuptuar se ishin mashtruar dhe rastin e kanë paraqitur në  SP Kavadar”, njoftuan nga Ministria e drejtësisë.

Personat zyrtar të  drejtorisë  kanë biseduar edhe me personin e  dënuar  Janko Janevski, i cili ka sqaruar se ai asnjëherë nuk ka marrë para nga pjesëtarët e policisë së burgjeve, por përkundrazi, ai personalisht i ka dhënë para pjesëtarit të policisë së burgjeve Kiro Dimov. I dënuari Janevski paratë i fitonte nga bastet sportive që organizoheshin në këtë institucion dhe në disa raste i kishte dhënë hua Dimovit. Më pas ka filluar ta kërcënojë përmes personave të dënuar që t’ia kthejë borxhin brenda 24 orëve.  Për pretendimet se pjesëtari i policisë së burgut i ka marrë para Janevskit, kanë konfirmuar edhe dy persona të tjerë të dënuar.

“Lidhur me personin e dënuar Toni Denkovski për ankesën e tij se i është cenuar siguria dhe se ka pasur kërcënime dhe shantazhe nga persona të dënuar dhe pjesëtarë të policisë së burgjeve, për çka edhe është dorëzuar kallëzim në Prokurorinë Themelore Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, nga biseda me të, ai nuk tregoi emra konkretë të personave të dënuar apo pjesëtarëve të policisë së burgjeve, për të cilën arsye nuk kishte mundësi të verifikoheshin pretendimet e tij. Për Denkovskin në buletinet ditore nuk është shënuar asnjë ngjarje apo sulm fizik ndaj këtij personi dhe janë marrë masa për sigurinë e tij, është i vendosur i vetëm në dhomë dhe del i vetëm në shëtitje”, shtojnë nga Ministria e Drejtësisë.

Pas ditës së mbikëqyrjes, personi i dënuar Toni Denkovski nuk ka paraqitur kërkesë për transferim në institucion tjetër.