Një grup tjetër shtetasish të Maqedonisë të evakuuar do të mbërrijë sot nga Dubai

Një tjetër fluturim nga Dubai për në Shkup do të realizohet sot për evakuimin e qytetarëve të Maqedonisë që ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA), transmeton Portalb.mk.

Ambasada e Maqedonisë në Emiratet e Bashkuara Arabe u bëri thirrje qytetarëve të Maqedonisë që kanë nevojë prioritare dhe urgjente për evakuim sa më shpejt të regjistrohen në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë në Abu Dhabi. Regjistrimi mund të bëhet përmes metodave të mëposhtme, si p.sh. me telefon: +971 56 441 7532 dhe email: [email protected].

Deri tani janë realizuar katër fluturime të organizuara për evakuim të qytetarëve nga rajoni i Lindjes së Mesme, me të cilët janë transportuar gjithsej 458 udhëtarë.

Përkeqësimi i situatës së sigurisë në Iran lidhet drejtpërdrejt me tensionet e brendshme dhe ato ndërkombëtare që janë intensifikuar ditët e fundit. Autoritetet iraniane u kanë bërë thirrje disa ambasadorëve të huaj për sqarime, duke i akuzuar se mbështetja e tyre publike për protestuesit përbën “ndërhyrje të papranueshme” në punët e brendshme të vendit. Këto reagime vijnë në një kohë kur protestat dhe pakënaqësitë sociale kanë nxitur masa të shtuara sigurie, rritje të pranisë policore dhe kufizime të mundshme për lëvizjen e qytetarëve dhe të huajve në disa zona.