Një dekadë premtime, tenderë të anuluar dhe vonesa: Projekti për filtrimin e ujërave të zeza në Tetovë ende pa datë konkrete realizimi
Pavarësisht se premtohet dhe planifikohet gati një dekadë, projekti për filtrimin e ujërave të zeza në Tetovë dhe fshatrat përreth vazhdon të zvarritet ndërsa ende nuk është nënshkruar kontrata. Kryetari i Komunës së Tetovës thotë se është përzgjedhur operatori por që procedura është në fazë ankimimi, shkruan Portalb.mk.
Tenderi për këtë projekt është anuluar disa herë, ndërsa punimet nuk kanë filluar ende.
I pyetur për këtë projekt që u promovua disa herë se përse nuk po fillon të zbatohet, kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se është përzgjedhur operatori dhe se është në procedurë ankimimi.
“Sa i përket projektit për kolektorin e ujërave të zeza, bashkë me filter-stacionin, është përzgjedhur operatori edhe për realizimin e punëve të kolektorit kryesor, edhe të filter-stacionit. Janë procedurat e ankimimit, pra që zgjasin në këtë periudhë, dhe nga përmbyllja e të cilave do të nënshkruhet edhe kontrata dhe do të jepet urdhëresa operatorit që të dalë në terren. Pra, për të informuar opinionin: operatori është përzgjedhur edhe për kolektorin, edhe për filter-stacionin, si të përfundojnë procedurat e ankimimit, do të nisin punët në terren. Dhe unë besoj që brenda kësaj vere do të nisin punët në terren”, deklaroi Kasami.
Projekti do të përfshijë filtrimin e ujërave të zeza për Tetovën me rrethinë me 95 mijë banorë, ndërsa sistemi do të ndërtohet në fshatin Falisht.
Në bazë të studimit të fizibilitetit dhe strategjisë për implementimin e këtij projekti, parashihet të ndërtohet rrjet i ri i kanalizimit (kolektor) i cili do të mbledhë ujërat e zeza të rrjetit ekzistues të kanalizimit dhe do t’i dërgojë në stacionin filtrues.
Hapësira e mbledhjes së ujërave do të mbulojë këto vendbanime: Tetovë, Reçicë e Vogël, Reçicë e Madhe, Poroj dhe Xhepçisht. Parashihet që stacioni filtrues të ketë kapacitet të mbulojë edhe rrjetin e kanalizimit i cili do të ndërtohet në komunat e tjera rurale të cilat kufizohen me Tetovën që në të ardhmen edhe këto komuna të kyçen në këtë stacion filtrues.
Projekti u promovua disa herë por pa rezultat
Ndërtimin e stacionit të pastrimit të ujërave të zeza në fshatin Falisht e promovoi edhe kryetarja paraprake e Komunës së Tetovës – Teuta Arifi gjatë mandatit të dytë. Në korrik të vitit 2019 u pastrua lokaliteti ku duhej të ndërtohej stacioni, i cili asokohe duhej të fillonte vitin e ardhshëm (2020), por që nuk u bë.
Në vend që të nënshkruhej kontrata me ofertuesit më të përshtatshëm dhe fillim të ndërtimit, në vitin 2021 pasoi revidim i dokumentacionit teknik dhe tenderues dhe përgatitje për shpallje të tenderit të ri ndërkombëtar.
Më pas, në tetor të vitit 2022, kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami e riaktualizoi këtë temë, i cili përmendi se do të angazhohen që ky projekt sa më shpejtë të përfundojë.
Në shkurt të vitit 2023 në komunë u organizua debati publik pikërisht për këtë ku projekti u prezantua në detaje.
Më pas në dhjetor 2023 Komuna e Tetovës njoftoi se është hapur tenderi për këtë projekt.
Ngjashëm në dhjetor 2024 kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se procesi është në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së kompanive që do ta realizojnë projektin.
Por deri më tani, projekti nuk ka filluar të zbatohet në terren.
- LEXO: Tetovë, është hapur tenderi për projektin e filtrimit të ujërave të zeza, i cili premtohet prej vitit 2014
- LEXO: Tetovë, 6 vite pritje për filtër stacionin për ujërat e zeza, tenderin duhet ta shpallë Ministria e Financave, e cila nuk tregon kur
- LEXO: Në Tetovë do të ndërtohet staticoni i filtrimit për ujërat e zeza
- LEXO: Është duke u pastruar lokacioni i destinuar për stacion pastrimi të ujërave të zeza në Tetovë