Niveli i Liqenit të Prespës në rënie të vazhdueshme, masat mbrojtëse po zbatohen ngadalë

Ujërat e Liqenit të Prespës po tërhiqen pa ndalë, ndërsa pasojat e dëmshme nga humbja e ujërave të liqenit me sa duket nuk po i alarmojnë aq sa duhet autoritetet përgjegjëse për të ndërmarrë hapa konkretë që do të mundësojnë mbrojtjen e liqenit natyror të dytë më të madh në vendin tonë, raporton Meta, përcjell Portalb.mk.

Në gusht të vitit të kaluar kur Meta.mk shkroi për këtë temë, niveli i ujit të Liqenit të Prespës në stacionin matës Nakolec ishte 842,33 mnm sipas të dhënave të përzgjedhura nga mesi i korrikut të vitit 2022. Pothuajse një vit më vonë, të dhënat e Drejtorisë për Punë Hidrometeorologjike (DPHM) përcjellin shifra edhe më shqetësuese.

Sipas matjes së kryer në 13 qershor të vitit 2023, niveli i ujit të liqenit të Prespës ka qenë 842,22 mnm, pra i njëjti ka rënë edhe në krahasim me nivelin e ujit të një viti më parë.

Ndërkaq, kjo matje në qershor të këtij viti tregon se niveli i ujit në Liqenin e Prespës është më i ulët për 1,94 metra krahasuar me vlerën mesatare për muajin qershor, e cila sipas DPHM-së duhet të jetë 844,16 mnm. Këto të dhëna janë edhe më shqetësuese për faktin se gjatë kësaj periudhe ka pasur reshje intensive, ndërsa pikërisht në muajin maj dhe qershor në male shkrihet bora dhe rrjedha e lumenjve dhe burimeve duhet të sjellë një sasi më të madhe uji në liqen.

Megjithatë, me sa duket shterja graduale e Liqenit të Prespës nuk po ngjall vëmendjen e duhur tek autoritetet kompetente, edhe pse ka dokumente të përgatitura me masa të përcaktuara qartë dhe shkallë të emergjencës që duhet të zbatohen brenda afateve të caktuara.

Vitin e kaluar, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Meta.mk njoftuan se të gjitha masat e përcaktuara në Planin e azhurnuar për menaxhimin e ujërave në pellgun e Prespës me rang nga 1 deri në 3, të cilat do të mundësojnë mbrojtjen e ujërave të Liqenit të Prespës, do të duhet të zbatohen gjatë një periudhe gjashtëvjeçare. Pothuajse një vit më vonë, nga kjo ministri ende nuk kemi marrë informacion të detajuar se cilat nga masat e emergjencës janë ndërmarrë në dhjetë muajt e fundit.

Në Planin e azhurnuar thuhet se zbatimi i masave të klasifikuara në grupin 1 me urgjencën më të madhe të zbatimit do të kushtojë 4.8 milionë euro. Në këtë grup janë përfshirë aktivitetet për kontrollimin e tërheqjes së ujit, mbrojtjen nga përmbytjet dhe masat rregullatore.

Në grupin e dytë të masave të shënuara me 2, janë ato me rëndësi shumë të madhe. Për realizimin e tyre nevojiten rreth 5.9 milionë euro, e të cilat kanë për qëllim kontrollin e erozionit, përmirësimin e rrjetit të ujërave të zeza, mbrojtjen nga përmbytjet, masat bujqësore, si dhe ngritjen e kapaciteteve institucionale të autoriteteve përkatëse dhe palëve të interesuara në rajonin e Prespës.

Megjithatë, nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor nuk dhanë përgjigje në pyetjen se cilat nga masat nga grupi 1 dhe 2 tashmë janë realizuar në terren.

Për grupin e tretë të masave të shënuara me prioritet 3 janë parashikuar shpenzime prej rreth 6.9 milionë euro, ndërkohë që këtu përfshihet ndërtimi i stacioneve për pastrimin e ujërave të zeza për aglomeratet më të vogla të vendbanimeve në rajon, aktivitetet për monitorimin e pellgut të Prespës, ndërtimi më i gjerë i kapaciteteve të fermerëve, përmirësimi i sistemit të grumbullimit të mbeturinave, si dhe aktivitetet që lidhen me zbatimin e legjislacionit dhe rregullores ekzistuese.

Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor përgjegjësinë për grupin e tretë të masave e hedhin tek Komunës e Prespës, e cila ka themeluar një zyrë të posaçme që është përgjegjëse për zbatimin e planeve për menaxhimin e ujërave të Liqenit të Prespës.

“Sipas dispozitave të Ligjit për Ujërat, Qeveria e RMV-së i miraton Planet për menaxhimin e ujërave në nivel të pellgut lumor. Duke pasur parasysh se Liqeni i Prespës është pjesë e zonës së pellgut të lumit Drini i Zi, ai u miratua dhe po zbatohet në përputhje me dispozitat e Ligjit për Mbrojtjen e Liqenit të Prespës, ku përgjegjëse për zbatimin e aktiviteteve është Komuna e Prespës”, thanë për Meta.mk nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor.

Meta.mk dy herë, më 8 dhe 14 qershor, përmes postës elektronike dërgoi pyetje pranë komunës së Prespës në lidhje me zbatimin e masave nga Plani i azhurnuar për menaxhimin e ujërave në pellgun e Prespës, por ende nuk kemi marrë përgjigje konkrete në pyetjet e parashtruar në lidhje me aktivitetet që kryhen në lidhje me mbrojtjen e ujërave nga liqeni i Prespës.

Për zbatimin e masave për mbrojtjen e Liqenit të Prespës, të cilat vetë institucionet i kanë përcaktuar si obligim, kërkuam përgjigje edhe nga Shoqata Ekologjike e Maqedonisë (ShEM). Ata thanë se obligim i ministrisë është që të punojë për raportet vjetore, në të cilat përcaktohen aktivitetet për grumbullimin e ujit, sistemet e ujitjes dhe ujit të pijshëm. Realisht, ata nuk mund të tregojnë me saktësish se cilat nga aktivitetet e lartpërmendura deri më tani janë realizuar.

Megjithatë, nga ShEM shtojnë se përveç monitorimit të rregullt të ujit nga Liqeni i Prespës, nuk kanë njohuri nëse janë realizuar aktivitete të tjera. Kohëve të fundit në Komunën e Prespës është punësuar një person i cili rregullisht merr mostra për të analizuar cilësinë e ujit të liqenit.

Nga ShEM sqarojnë se vetë natyra e liqenit është e tillë që ka pasur periudha kur niveli i liqenit ka qenë shumë i ulët, por që pastaj është ngritur. Ndryshimet klimatike dhe sasia e pamjaftueshme e reshjeve ndikojnë që marrja e masave për mbrojtjen e ujit të jetë prioritet, por vetë këto masa nënkuptojnë një trajtim më afatgjatë të problemit. Sipas ShEM, theksi duhet vënë në racionalizimin e konsumit të ujit, por për problemin me përdorimin e pesticideve duhet të punohet edhe me fermerët.

Pas takimit fillestar të Komitetit të Organit menaxhues të Parkut të Prespës dhe Grupit punues për menaxhimin e ujërave që u mbajt vitin e kaluar për menaxhimin e përbashkët të qëndrueshëm dhe përmirësimin e Prespës, bazuar në marrëveshjen e nënshkruar për mbrojtjen e rajonit të Prespës ndërmjet Maqedonisë, Shqipërisë dhe Greqisë, më 31 janar të këtij viti u mbajt takimi i dytë i Grupit punues për menaxhimin e ujërave.

Në këtë takim u ra dakord për draft Manualin për zbatimin e prioriteteve të përbashkëta për menaxhimin e ujërave, si dhe u konfirmua forma dhe mënyra e shkëmbimit të të dhënave nga matjet monitoruese për analiza cilësore dhe sasiore të liqenit. Më 31 janar u mbajt mbledhja e dytë e rregullt e Komitetit të menaxhimit të parkut të Prespës.

Përndryshe Qeveria e Maqedonisë së Veriut më 15 qershor të vitit 2021 e themeloi Komisionin për monitorimin e zbatimit të masave nga Plani aksionar për Liqenin e Prespës. Siç informojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, komisioni i ka përcaktuar aktivitetet e mundshme prioritare, dhe atë:

• Përmirësimi dhe monitorimi i vazhdueshëm i rrjetit kombëtar të monitorimit në pellgun e liqenit të Prespës dhe Ohrit për hidrologjinë e ujërave sipërfaqësore, hidrologjinë e ujërave nëntokësore dhe meteorologjinë;
• Përgatitja e një Studimi për Bilancin e ujërave për Liqenin e Prespës me të dhënat më të fundit në dispozicion (1951-2020);
• Përgatitja e një studimi për përcaktimin e ndikimit të humbjeve të ujit në diversitetin biologjik dhe përcaktimin e llojeve të treguesve për monitorimin efektivitetin e masave të zbatuara për përmirësimin e situatës si rezultat i humbjeve të;
• Hetime për rrjedhjen e ujit nëpër masivin karstik të Galiçicës, përfshirë këtu edhe aplikimin e metodave me izotope për lëvizjen e ujit;
• Forcimi i kapaciteteve institucionale në fushën e ujit dhe natyrës, me një theks të veçantë tek monitorimi.

Megjithatë, nga kjo ministri thotë se për shkak të krizës ekonomike pjesa më e madhe e aktiviteteve realizohen me projekte të donatorëve ndërkombëtarë. Në pjesën e mbrojtjes së Liqenit të Prespës për momentin janë duke u realizuar disa projekte aktuale.

Kështu, përmes projektit “Identifikimi i ndikimeve antropogjene në liqenin e Prespës”, i cili financohet nga PONT, kohëve të fundit janë kryer hulumtime për përcaktimin e cilësisë së ujit në lokalitetet e përcaktuara në zonën litorale të Liqenit të Prespës, që e përfshin pjesën nga Dollno Dupeni e deri në Stenjë.

Deri në vitin 2024 do të zbatohet edhe “Projekti Prespa” nga Shoqëria Ekologjike e Maqedonisë, Shoqata për Mbrojtjen e Prespës në Greqi dhe Mbrojtja e Mjedisit në Shqipëri, ndërkohë që aktual është edhe projekti “Forcimi i kapaciteteve të Komunës së Prespës dhe përgatitja e projekteve shkencore – hulumtuese aplikative për zonat e mbrojtura” përmes të cilëve u hulumtuan lokalitetet nga zona litorale e Liqenit të Prespës.

“Në bazë të rezultateve të fituara mund të konstatohet se problemi global i eutrofikimit i kërcënohet edhe liqenit të Prespës”, e sqarojnë nga Ministria e Mjedisit Jetësor problemin e rritjes së prodhimit biologjik të disa llojeve të algave në sipërfaqet ujore, të cilat paraqesin rrezik për biodiversitetin në liqen.

Nëpërmjet buxhetit të shtetit për përmirësimin e statusit të ujit, tokës dhe biodiversitetit në pellgun e Prespës, Qeveria e Maqedonisë në vitin 2020 dhe 2021 ka ndarë 84 milionë denarë për Komunën e Prespës, të cilat janë dedikuar për realizimin e aktiviteteve nga Plani Aksionar për Liqenin e Prespës.

Nëpërmjet projektit “BE për Prespën”, i cili financohet përmes Instrumentit të Asistencës së Para-Aderimit (IPA 3), do të mbështetet zbatimi i Axhendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor në zonën ndërkufitare të Liqenit të Prespës. duke u fokusuar në shtyllat e biodiversitetit, mjedisit jetësor pa materie toksike dhe gjelbërimit të bujqësisë dhe biznesit lokal.

Me mbështetjen e Bashkimit Evropian, zbatimi i masave do të duhet të parandalojë ndotjen e ujit dhe tokës, të mbrojë speciet e rrezikuara dhe të inkurajojë qëndrueshmërinë e praktikave lokale ekonomike dhe bujqësore. Me fondet evropiane do të duhet të vihen në funksion sistemet e grumbullimit dhe trajtimit të ujërave të zeza dhe mbeturinave të ngurta në Prespë, si dhe të trajnohet komuniteti lokal për mbrojtjen e mjedisit jetësor.