Pa roaming në BE, ndryshimet ligjore në RMV u futën në procedurë qeveritare
Ministria e Transformimit Digjital (MTD) informoi se ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Komunikimet Elektronike janë futur në procedurë qeveritare dhe janë publikuar në Regjistrin Elektronik Kombëtar të Rregulloreve (REKRr/ENER), transmeton Portalb.mk.
Sipas Ministrisë, me këto ndryshime, RMV-ja i përmbush detyrimet ligjore për harmonizim me standardet evropiane në fushën e roamingut.
“Me ndryshimet dhe plotësimet krijohen kushtet për vendosjen e rregullave të qarta për kufizimin e çmimeve të shërbimeve roaming, për rritjen e mbrojtjes së përdoruesve përmes informimit transparent dhe mekanizmave për parandalimin e shpenzimeve të papritura, si dhe për forcimin e rolit rregullator të institucioneve përgjegjëse në fushën e komunikimeve elektronike. Këto përfshijnë heqjen e kostove të roamingut gjatë udhëtimit në vendet e BE-së, rritjen e sigurisë ligjore dhe parashikueshmërinë e çmimeve, dhe lehtësimin e aksesit në shërbime digjitale, e-shërbime dhe komunikim mobile jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Ministria pret që Qeveria të miratojë tekstin e ligjit deri në fund të muajit, dhe në shkurt ai të hyjë në procedurë parlamentare për miratim.
Me këtë hap, përmbushen kushtet për sigurimin e të njëjtave kosto për thirrje, mesazhe dhe paketa interneti për qytetarët e Maqedonisë, kur ata udhëtojnë ose qëndrojnë në BE.
Pas kësaj, do të ndiqet miratimi i tre akteve nënligjore nga Agjencia për Komunikime Elektronike, pas së cilave të gjitha këto aktivitete do t’i shpërndahen Komisionit Evropian për verifikim dhe validim.
Në këtë mënyrë, shtojnë nga Ministria, qytetarët e Maqedonisë do të përfitojnë nga zona unike evropiane e roamingut, pa taksa dhe shpenzime të papritura, në të njëjtin mënyrë si qytetarët e BE-së.