Ngjarje të rëndësishme për peizazhin e ri gjeopolitik

Rrethimi i qyteteve në Evropën Juglindore ka një histori të gjatë, e cila kryesisht në mesjetë kishte të bënte me ndarjet fetare dhe ambiciet për të pushtuar territore të reja në emër të fesë.

Në shek. e XVIII-XIX ndarjet etnike nxitën luftëra të reja dhe konflikte, andaj nuk është e rastit pse qeveritë e Ballkanit aktualisht po shpërndajnë përsëri jehonë të mosmarrëveshjeve të reja ndërshtetërore. Gjatë shek. XIV- XV, kur Perandoria Osmane ishte në kulmin e zgjerimit, Ballkani u përfshi nga “një cikël i zënkave territoriale me fushata të vazhdueshme ushtarake që formuan njëkohësisht peizazhin gjeopolitik të rajonit”. Pasi rrethimet e qyteteve ishin pjesë të planeve ushtarake të principatave të atëhershme dhe të perandorive të kohës, si ngjarje me rëndësi për kohën e sotit që duhet të krahasohen e të paraqiten si raste për analizë mund të konsiderohen “Rrethimi i Smederevës” (1459) dhe “Rrethimi i Shkodrës” (1478).

Luftërat në një zonë të caktuar gjeografike në fakt tregonin për konfliktet që do të lindin në të ardhmen në mes shteteve dhe popujve në Ballkan. Shtetet që kishin fituar autonomi nga Perandoria Osmane gjatë shek. XIX –XX u transformuan më vonë në shtete që promovonin politika të spastrimit dhe të rrethimeve ushtarake të vendbanimeve me etni dhe fe tjetër. Vlerësohet se ngjarjet që çuan në “Rrethimin e Shkodrës” dhe në “Rrethimin e Smederevës” në fakt ishin rrjedhojë e ndryshimit të aleancave dhe rivaliteteve midis fuqive të atëhershme rajonale.

Pse është me rëndësi të zbërthehen këto raste historike?

Sepse zbërthimi i dinamikave historike ka një rëndësi të madhe për realitetet e sotme gjeopolitike të ndryshimit të aleancave, dhe prirjeve të qeverive për të ndërmarrë aksione të pushtimit të zonave të interesit. Taktikat e përdorura nga shtetet për të marrë toka të rëndësisë strategjike në Ballkan, zbulojnë njëkohësisht strategjitë ushtarake që tregojnë se si pozita e qyteteve ka ndikuar, dhe vazhdon të ketë rol qendror në politikat e zgjerimit të shteteve si p.sh. të Serbisë, që sipas analistëve të jashtëm është e interesuar për konflikte të reja në Ballkan duke filluar nga Kosova e deri në Bosnjë.

Serbia dhe forcat radikale serbe në Bosnjë po tentojnë të krijojnë një hapësirë të re gjeografike me pushtimin e pjesëve të shteteve fqinj ose të marrjes me dhunë të territoreve të rëndësisë strategjike. Sulmet klandestine të viteve të fundit në Ballkan të organizuara nga Serbia dhe Rusia siç dihet janë modernizuar në forma tjera të ndikimit që i kemi bërë të njohura për më shumë se një dekadë. Ambiciet territoriale të Serbisë janë të qarta.

Deklaratat premtuese që vinë nga SHBA-ja dhe BE-ja nuk do të zgjidhin asgjë. Pasi Serbia dhe Rusia në hapësirën gjeografike të interesit kombëtar po bëjnë lëvizje të ndërlikuara.

Fatkeqësisht do të jetë e vështirë të parandalohet ky proces për arsye të ngritjes së aleancave të reja nga vetë SHBA-ja në Ballkan dhe në Evropën Lindore. Dinamika e re në raportet e SHBA-së dhe të BE-së me shtetet e Ballkanit, lë hapësirë për sulme të reja nga Serbia e cila e mbështetur nga Rusia, dhe forcat radikale do të vazhdojë të paraqesë rrezik të përhershëm për shtetet fragjile të rajonit. SHBA dhe BE realisht po lënë pas vetes një rajon kompleks gjeopolitik pa zgjidhje, për arsye të lartpërmendura.

Disa karakteristika të sjelljeve të vonuara të aktorëve global po manifestohen përsëri në politikat e jashtme rajonale. Tiparet janë të lidhura këtu me interesat, kur aleatët një ditë kthehen kundër miqve e bëhen kundërshtarë. Po gjatë dy shekujve të fundit ndryshimi i aleancave ka përcaktuar në të njëjtën kohë dinamikën gjeopolitike të Evropës e në veçanti të Ballkanit ku qeveritë e sidomos ajo serbe është e interesuar që de stabiliteti të vazhdojë me ndihmën e Rusisë. Si pjesë e ndjeshme me dekada, përveç Bosnjës është paraqitur qyteti i Mitrovicës dhe pjesa veriore e Kosovës ku jetojnë serbë me shumicë dhe shqiptarë të detyruar të shpërngulen në pjesën jugore. Zyrtarë të lartë të Kosovës kanë shfaqur dyshime se bazat ushtarake të Serbisë në afërsi të kufirit të Kosovës, paraqesin shenja për sulme të mundshme të forcave ushtarake serbe ndaj Kosovës. Një përqendrim kaq i madh i ushtrisë serbe me kapacitete të ngritura ushtarake është një tregues se Serbia është e interesuar për një rrethim-pushtim të pjesës veriore të Kosovës. Edhe pse qyteti i Mitrovicës dhe veriu i Kosovës dallon nga koha e rrethimit të dikurshëm të qyteteve në mesjetë, përsëri ka një rëndësi të veçantë për Kosovën dhe Serbinë.

Serbia ka bërë përpjekje të ndryshojë strukturën etnike dhe të vendosë një pushtet paralel serb. Dhe jo vetëm kaq. Qeveria serbe dhe ushtria kanë synime më të mëdha, atë të pushtimit të kësaj pjese të Kosovës në kohën e një paqartësie të madhe në SHBA dhe BE për sa i përket fatit të Ukrainës dhe Ballkanit.

Duhet pranuar se pavarësisht ngjarjeve të dorës së dytë, në rajonin e Ballkanit sfondi historik i Mitrovicës dhe veriut luan rol kryesorë në raportet në mes Kosovës dhe SHBA-së, dhe SHBA-së me Serbinë. Pasi Mitrovica dhe veriu mund të destabilizohen lehtë pavarësisht forcave paqeruajtëse ndërkombëtare, BE-ja dhe SHBA-ja po i bëjnë presion qeverisë kosovare të formojë Asociacionin e Komunave Serbe (AKS), duke e ditur se qasja e Serbisë ndaj Mitrovicës dhe veriut nuk pasqyron vetëm ambiciet historike të Serbisë ndaj Kosovës. Qeveria serbe po zbaton strategji të ndërlikuara diplomatike për të siguruar një ndërhyrje të lehtë në veri pa ndonjë vërejte nga SHBA-ja dhe BE-ja. Pikërisht këtu qëndron frika e disa aktorëve dhe e qeverisë së Kosovës, se Serbia duke i baraspeshuar interesat kombëtare me lëvizjet e ndërkombëtarëve që janë në favor të Serbisë, ka arritur që zgjidhjen për veriun dhe normalizimin e raporteve ta ndërlikojë edhe më shumë. Veriu dhe Mitrovica do të jenë nën syrin serbo-rus për një kohë të gjatë. Padyshim do të jetë pjesë e orientimit të politikave nacionaliste serbe në rajonin e Ballkanit.

Qeveria e Kosovës ka marrë disa hapa për të vendosur nën kontroll veriun. Megjithatë pasiguria mbetet ende e lartë për arsye se faktori ndërkombëtar nuk është i vendosur që Serbisë t’i vihet pas një diplomaci shtrënguese.

Si përfundim mund të thuhet se duke i krahasuar rastet historike, rrethanat rajonale e ndërkombëtare, zakonisht mund të japim vlerësime më të sakta se nga do të shkojë një rajon e këtu Ballkani. Paralelisht pa i përjashtuar rreziqet e ndarjeve etnike dhe fetare të zonave të caktuara. Në të njëjtat zona të nxehta, politikat nacionaliste të shteteve të theksuara do të përpiqen të bëjnë ndryshime territoriale nëpërmes shtypjes dhe dhunës. Gjithashtu kjo ka gjasa të arrihet edhe me taktika të reja të dezinformimit duke përdorur mjete që i takojnë luftës hibride.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.