Është rënuar një pjesë e shëtitores kryesore në Strugë, me muaj nuk ka asnjë intervenim për riparimin e saj

Me muaj të tërë qëndron e shembur pjesa më e bukur e shëtitores në qytetin turistik të Strugës. Një pjesë e shëtitores u shemb në nëntor të vitit të kaluar dhe me kalimin e kohës shembja zgjerohet. Deri më tani nuk ka asnjë intervenim nga autoritetet përgjegjëse. Situata e tillë jo vetëm që paraqet pamje të keqe për qytetin turistik por është dhe rrezik për kalimtarët. Qytetarët sa të revoltuar aq dhe pesimist shprehin keqardhje për këtë situatë, shkruan Portalb.mk.

Një pjesë e shëtitores kryesore në qytetin turistik të Strugës qëndron e rrënuar me muaj të tërë. Bëhet fjalë për shëtitoren pranë liqenit, afër pjesës ku buron lumi Drin i Zi. Mu kjo pjesë e shetitores është këndi më i dashur jo vetëm për turistët e huaj por dhe vetë struganët të cilët çdo ditë, të moshuar e fëmijë, qëndrojnë këtu për të soditur peizazhin mahnitës të natyrës apo për ti ushqyer mjellmat dhe zogjtë që qëndrojnë në liqen.

Në galerinë më poshtë mundet ta shikoni gjendjen aktuale të shëtitores.

Përveç se është një imazh i pahijshëm për qytetin, gjendja aktuale e kësaj shëtitore mbi të gjitha rrezikon të gjithë këmbësorët që ecin në këtë pjesë. Edhe pse shembja e shëtitores po zgjerohet çdo ditë e më shumë tash e 4 muaj nuk është bërë asnjë hap për ta sanuar dëmin. Nuk është venduar as ndonjë sinjalistikë adekuate paralajmëruese për rreziqet e mundshëm.

Reagimit të aktivistëve lokal, që nga paraqitja e shembjes nuk i është përgjigjur asnjë institucion relevant. Mediat lokale në Strugë madje kanë dalë me apel deri te qytetarët të kenë kujdes ku dhe si lëvizin.

Edhe pse sezoni turistik zakonisht merr hov gjatë periudhës së verës, dimri me shumë ditë me diell ka bërë që këtë periudhë Struga të frekuentohet nga shumë turistë vendas dhe të huaj. Përderisa turistët shijojnë bukuritë natyrore nuk i anashkalojnë vërejtjet për shumë probleme sipërfaqësore infrastrukturore në këtë qytet. Sidoqoftë, qytetarët struganë janë ata që cilët më së shumti janë të revoltuar nga neglizhenca e autoriteve për ta bërë punën e tyre dhe mbi të gjitha për të garantuar siguri për qytetarët.

“Jemi nga Greqia, jemi një grup prej 50 vetash dhe po bëjmë tur në Maqedoninë e Veriut, dy ditë i kalojmë këtu në Strugë, qytet shumë i këndshëm dhe me natyrë shumë të bukur megjithatë duhet të punohet pak më shumë për mirëmbajtje”, thotë një turiste greke.

“Kjo shëtitore ka më shumë se 50 vite që është ndërtuar dhe që atëherë nuk ka ndryshuar asgjë. Edhe tash që po rrënohet me duket se nuk e ka mendjen njeri të bëjë diçka. Është për të ardhur keq që pjesa më e bukur e qytetit të lihet në këtë gjendje”, u shpreh një i moshuar i cili tha se çdo ditë në mëngjes vjen këtu për ti ushqyer zogjtë.

“Me vjen keq kur e shikoj qytetin tim në këtë gjendje, është pjesa më idilike e qytetit. Normale është që ndërtimet të vjetërsohen e të rrënohen por nuk është aspak normale që me muaj të tërë të mos bëhet asgjë për ta rregulluar dëmin”, deklaroi një qytetare.

“Kjo është pjesa e prefeuar gjatë çdo ecje që bëjë në qytet. Ma vret syrin dhe më trishton kjo pamje ama nuk çuditem aspak që nuk është sanuar.. edhe as që kam shpresë se do rregullohet dhe për një kohë të gjatë”, tha një qytetar.

Ndërkohë, në rrjetet sociale gjendja e shëtitores më të frekuentuar në Strugë ka marrje një kahje tjetër duke u trajtuar me ironi e humor. Nga faqet lokale madje është hapur lojë shpërblyese e cila ofron një shpërblim të caktuar për atë që e gjen se për sa kohë do të riparohet problemi i shfaqur.

Ndonëse përmirësimi i imazhit turistik të Strugës duke investuar në më shumë projekte infrastrukturore ishte kryefjala e programit zgjedhor të kreut aktual të kësaj Komune, Ramis Merko, edhe pas 3 vitesh në pushtet është bërë shumë pak nga administrata aktuale. Për më tepër lexoni: