Nga “taksisti”: Antropologji migracioni (I)

“Një natë e ftohtë në fund të shkurtit të vitit 1987 qëndroja në një rrugë me zhavorr, e cila shënonte kufirin që ndante Iranin nga Afganistani. Ishte rreth mesnatës. Heshtje vdekjeprurëse dhe errësirë e plotë. ‘Nëse hedh një hap,’ mendova, ‘do të jem diku tjetër. Kur këmba ime të prekë tokën në anën tjetër të rrugës, nuk do të jem më i njëjti person. Nëse e hedh këtë hap, do të bëhem një person ‘ilegal’ dhe bota nuk do të jetë më kurrë e njëjtë’.” (Khosravi, 2008)

Vitet 1990, dimër i acartë, hapësira parakufitare e vijës ndarëse Çeki-Gjermani. Në Land der Dichter und Denker (tokën poetëve dhe mendoimtarëve) qenë shënuar temperatura jashtëzakonisht të ulëta, reshje të dendura dëbore (deri në 87 orë), erëra të fuqishme dhe grumbullime dëbore deri në 5 metra lartësi. Një shqiptar shkupjan i cili synonte shkeljen në dheun gjerman. Kalon kodër pas kodre, katund pas katundi, e assesi të shfaqet vendi i ëndrrave. Pylli i dendur. Më pas zonë fushore me pemë. I harxhohet buka, zahireja, dalëngadalë e kap uria, dhe çdo dru që i dilte para i dukej si mollë, dardhë… Por kot. Sa afrohej, vërente se pemët ishin vetëm një mirazh dimri. “Ah babë, zemër, loçkë, s’të dëgjova kur më thoje ‘Rri’. Desha kurbetin, do t’ia puth bishtin shatit që s’e doja, sa të kthehem”. Dhe vërtet rrëfimtari i kësaj sekuence reale të migrantit  shqiptar u kthye dhe sot jeton si bujk në fshatin e vet që sot i ngjan një qyteze.

Leximet tona të ditëve të fundit na sollën para një shpallje: “Si të bëhen studime të migracionit në kohë të errëta”, ligjëratë e Shahram Khosravi, antropolog aksidental, 27 nëntor 2025, Glasgow. Leksion vjetor i  Sociological Review. Kush është Khosravi? Një iranian që karrierën e kishte nisur si shofer taksie për të përfunduar si një hulumtues i mirëfilltë; profesor i antropologjisë sociale në Universitetin e Stokholmit. Interesat e tij kërkimore përfshijnë antropologjinë e Iranit dhe të Lindjes së Mesme, migracionin, zhvendosjen e detyruar dhe studimet mbi kufijtë. Khosravi është autor i librave: Young and Defiant in Tehran, University of Pennsylvania Press (2008); The Illegal Traveler: An Auto-Ethnography of Borders, Palgrave (2010); Precarious Lives: Waiting and Hope in Iran, University of Pennsylvania Press (2017); si dhe After Deportation: Ethnographic Perspectives, Palgrave (2017, vëllim i redaktuar). Përkundër fushave të tij kërkimore mbi mobilitetin, kufijtë dhe migracionin, ai në fakt parapëlqen të shkruajë dhe të tregojë histori.

Në ligjëratën e sipërpërmendur që e analizojmë në këtë shkrim ai flet për migrimin në kohë të errëta, në kontekste krizologjike; kur “flijimi i atyre që shkelin kufijtë është pjesë e adhurimit të shtetit-komb dhe e njohjes së sovranitetit të tij.” (Khosravi 2010, 29) Sipas Khosravit, jeta e migrantëve jetohet në një status të vazhdueshëm liminaliteti.

Liminaliteti (nga latinishtja limen, “prag”) do të thotë të jesh në një gjendje ndërmjetësie, në prag, ose as plotësisht brenda dhe as plotësisht jashtë një pozicioni social, ligjor apo kulturor. Ai përshkruan situatat ku individët ose grupet ekzistojnë në një kusht tranzitor, duke u munguar një status i qartë apo një përkatësi e përcaktuar mirë.

Në shkencat sociale dhe antropologji, liminaliteti i referohet:

  • Të qenit midis rroleve sociale: (p.sh. emigranti, refugjati, kërkuesi i azilit).
  • Jeta midis statuseve ligjore: (as plotësisht i dokumentuar, as plotësisht i padokumentuar).
  • Ekzistenca midis vendeve, identiteteve ose kohërave.

Kohët e errëta janë momentume të krizës politike, të rënies morale dhe degjenerimit kulturor (Arendt). Në një kontekst të tillë, ndodh shtypja kulturore, erozioni i hapësirës publike, shembja e jetës publike, izolimi dhe heshtja. Aty fjalimi dhe gjykimi i vërtetshëm rrënohen, peshë fitojnë  ideologjia dhe propaganda. Është kjo koha e fashizmit kur gjuha bëhet mbrojtje e të pambrojtshmes; e “afazisë koloniale” (A. L. Stoler), kur dhuna është e paemërtuar ose keqemërtuar.

Migracioni është pasojë e kontradiktave inherente të shtetit komb, pjesë e narrativave shtet-centrike. Është pengesë për realizimin e të ardhmeve shoqërisht të drejta dhe inkluzive. Studimet mbi migrimin në vatër e kanë labirintin e azilit, punëtorin mysafir, padokumentësinë (undocumentedness), shpërnguljen ilegale, përkatësinë, shkëputjen nga rrënjët (uprootedness), përkatësinë, shtëpinë, integrimin. /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.