Rezultatet preliminare, ja si pritet të jetë përbërja e Kuvendit të Kosovës
Në bazë të rezultateve preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për zgjedhjet e sotme parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë forca e parë politike në Kosovë, transmeton Portalb.mk.
Sipas 99,65% të votave të numëruara:
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 49,30% të votave dhe pritet të ketë 56 deputetë,
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,00% të votave, pritet të sigurojë 23 deputetë,
Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13,57% pritet të ketë 15 deputetë,
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,68% të votave, pritet të ketë 6 deputetë,
Sa i përket metodologjisë së shpërndarjes së mandateve, mbetet të konfirmohet nëse është përdorur metoda D’Hondt, e cila është standarde në Kosovë, si dhe nëse në këtë përllogaritje janë përfshirë të gjitha 120 ulëset e Kuvendit apo vetëm ato të përgjithshme, pa ulëset e rezervuara.
Në Kosovë u mbajtën zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ku të drejtë vote kishin 1.999.024 qytetarë.
Procesi i votimit u zhvillua në 910 qendra me gjithsej 2.557 vendvotime, nga ora 07:00 deri në 19:00.
Sipas të dhënave preliminare, dalja në zgjedhje është 45 për qind.
Zgjedhjet u monitoruan nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe vëzhgues vendorë e ndërkombëtarë.