Albulena Haxhiu u zgjodh kryetare e Kuvendit të Kosovës

Deputetët e Legjislaturës së 11-të të Kuvendit të Kosovës e kanë zgjedhur Albulena Haxhiun kryetare të Kuvendit, transmeton Portalb.mk.

Haxhiu mori 62 vota për, 16 kundër dhe 13 abstenime, duke u zgjedhur në krye të Kuvendit të Kosovës.

Për konstituimin e plotë të Kuvendit nevojitet edhe zgjedhja e pesë nënkryetarëve, përfshirë përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë.

Pas zgjedhjes, Haxhiu mori drejtimin e seancës nga kryesuesi i deritanishëm, deputeti më i vjetër i cili ishte nga Lëvizja Vetëvendosje, Avni Dehari.

Konstituimi i Kuvendit ka qenë i bllokuar për shkak të mospajtimeve politike lidhur edhe me zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Për zgjedhjen e presidentit në dy rundet e para nevojiten 80 vota, ndërsa në rundin e tretë kandidati mund të zgjidhet me 61 vota, me kusht që në sallë të jenë të pranishëm të paktën 80 deputetë.

Lëvizja Vetëvendosje më herët kishte kërkuar marrëveshje për presidentin e ri para formimit të institucioneve të tjera. LDK-ja kishte ofruar mbështetjen për një kandidat konsensual, ndërsa si emër i përbashkët ishte përmendur Bekim Sejdiu, propozim ndaj të cilit më vonë kundërshtuan gjashtë deputetë të LDK-së.