Nga sot, materialet shkollore në RMV do të kenë çmime të reduktuara prej 10 dhe 15 përqind

Fushata e Qeverisë për uljen e çmimeve të materialeve shkollore me 10 dhe 15 përqind fillon sot. Qeveria deklaron se duke marrë parasysh që disa shitës me pakicë po i rrisin në mënyrë enorme çmimet e materialeve shkollore para fillimit të vitit të ri shkollor, gjë që ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostove të buxhetit familjar të mijëra qytetarëve, ajo në seancën e saj të fundit mori vendim që i detyron shitësit me pakicë të ulin çmimet me të paktën 10 dhe 15 përqind, gjë që do të jetë e vlefshme nga sot, 15 gusht deri më 15 shtator, transmeton Portalb.mk.

Shitësit me shumicë do të ulin materialet shkollore me të paktën 10 përqind, ndërsa në tregtinë me pakicë me të paktën 15 përqind.

Ky vendim ul çmimet e çantave, fletore, blloqe, kolazhe, lapsa dhe stilolapsa (ekonomike, plastike), lapsa druri me ngjyra dhe ngjyra vaji, plastelinë, brumë modelimi, shtroje, stilolapsa me majë të hollë dhe shënues teksti, tempera, akrilik, ngjyra dhe furça me bazë uji, vizore dhe materiale didaktike, mprehëse dhe goma, gërshërë për fëmijë, kuti dhe kuti lapsash, ngjitës, kompas, kalkulatorë, letër dekorative, fashikuj dhe çanta kartoni dhe materiale punimi, si dhe produkteve të tjera të nevojshme nga nxënësit.

Shitësit me pakicë, shton qeveria, janë gjithashtu të detyruar të publikojnë çmimin e vjetër që ishte në fuqi më 1 qershor 2025, mbi bazën e të cilit llogaritet ulja. Përveç kësaj, në një vend të dukshëm në dyqane do të duhet të vendosen postera me mbishkrimin “Më pak shpenzime, më shumë për ju” dhe “Zbritje në furnizimet shkollore, të paktën 15 përqind”.

Qeveria bën thirrje të mos bëhen përpjekje për të anashkaluar vendimin, sepse Inspektorati Shtetëror i Tregut do të monitorojë në terren nëse ai respektohet. Në të kundërt, do të pasojnë sanksione.

Ndryshe, fillimi i vitit shkollor 2024/2025 ishte i vështirë për nga xhepi për prindërit që kanë fëmijë në shkollë. Ata u ankuan se çmimet e pajisjeve shkollore janë rritur, pas çka me propozim të Ministrit të Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, Qeveria miratoi vendim për ngrirjen e çmimeve të produkteve shkollore për një periudhë nga 03.09.2024 e deri më 20.10.2024.