Nga skena shqiptare në lavdinë ndërkombëtare, Qendrim Rijani mahniti Kroacinë me “Jul Cezarin”
Nën regjinë e Qendrim Rijanit, vepra klasike e William Shekspirit “Jul Cezari”, u shfaq mbrëmë me sukses të madh në skenën prestigjioze të Festivalit të Splitit në Kroaci. Interpretimi modern, i ndërthurur me elemente artistike të guximshme, u prit me duartrokitje të gjata dhe emocion nga publiku. Spektatori kroat u magjeps nga fuqia e dialogëve, intensiteti i lojës aktoriale dhe vizioni regjisorial që solli dramën shekspiriane në një dimension bashkëkohor. Kjo paraqitje është dëshmi e fuqisë së artit skenik shqiptar në arenën ndërkombëtare, duke e vendosur teatrin tonë në një nivel të denjë krahas trupave më të njohura evropiane, shkruan Portalb.mk.
Regjisori Qendrim Rijani për Portalb.mk tha se e kanë ruajtur strukturën thelbësore të Shekspirit, por janë zhvendosur në një realitet ideologjik që është i njohur për publikun e sotëm dhe beson se besnikëria ndaj origjinalit nuk do të thotë konservim, por mbartje e shpirtit të veprës në realitetin e sotëm.
“Është një ndërthurje e qëllimshme. E kam ndërtuar një univers ritual, të mbushur me simbole dhe shenja, ku mitologjia dhe bashkëkohësia bashkëjetojnë. Kemi ruajtur strukturën thelbësore të Shekspirit, por jemi zhvendosur në një realitet ideologjik që është i njohur për publikun e sotëm. Kjo nuk është një histori antike-kjo është një çështje aktuale. Është gjithmonë sfidë, por nuk e shoh si kompromis. Shekspiri vetë ishte modern për kohën e vet. Unë besoj se besnikëria ndaj origjinalit nuk do të thotë konservim, por mbartje e shpirtit të veprës në realitetin e sotëm. Aktualizimi nuk është dekor-është domosdoshmëri kur don t’i flasësh publikut sot”, tha Rijani.
Projektet e Rijanit do të vazhdojnë edhe më tej me një cikël të veprave që riinterpretojnë figurat dhe mitet politike.
“Po, klasikët janë pjesë e pandashme e rrugëtimit tim, por gjithmonë në funksion të një dialogu me kohën ku jetojmë. Projekti im i ardhshëm është të krijoj një cikël të veprave që riinterpretojnë figurat dhe mitet politike-për t’i kthyer në mjete për të kuptuar të sotmen tonë të trazuar”, tha Rijani.