Nga shitja e qeseve plastike janë mbledhur pothuajse 2 milionë euro, do të blihen më shumë se 7.000 kontejnerë

Nga 1 dhjetori i vitit 2021, përdorimi i qeseve plastike me përdorim të njëhershëm në treg në vend është i ndaluar, e në markete dhe tregje lejohen vetëm qeset e biodegradueshme për të cilat arkëtohen 15 denarë, raporton MIA. Sipas Ligjit për menaxhimin e paketimit dhe mbeturinave nga paketimi, mjetet nga shitja e qeseve mblidhen në një fond të veçantë të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, e deri në fund të vitit 2022, mbi këtë bazë janë mbledhur pothuajse dy milionë euro.

Ligji parashikon që mjetet e mbledhura në këtë fond të përdoren për projekte ekologjike, ndërsa nga MMJPH për MIA-n shprehen se mjetet e mbledhura nga arkëtimi i qeseve plastike shpërndahen në përputhje me Programin e miratuar dhe të njëjtat do të përdoren për furnizimin e enëve për grumbullimin e mbeturinave – kontejnerëve dhe një pjesë të fushatës për ngritjen e vetëdijes për nevojën e përzgjedhjes dhe mundësive për riciklim.

Nga MMJPH-ja bëjnë të ditur se qëllimi i masës nuk është arkëtimi i qeseve, por demotivimi i qytetarëve për përdorimin e tyre dhe se të dhënat që ata kanë tregojnë efekt të dukshëm në këtë drejtim.

“Të dhënat dhe shuma e mbledhur tregojnë efekt të dukshëm, veçanërisht në zinxhirët e mëdhenj të tregjeve, veçanërisht pasi në disa ato janë zëvendësuar plotësisht nga qeset për transportin e mallrave të blera. Qëllimi i masës nuk është arkëtimi i qeseve, por demotivimi i qytetarëve për përdorimin e tyre. Edhe këtu kemi zbatimin e parimit ndotësi paguan, ndërsa mjetet e mbledhura kthehen në projekte për zvogëlimin e mbeturinave dhe krijimin e sistemit të menaxhimit rajonal të mbeturinave”, shprehen nga MMJPH-ja për MIA.

Ndalimi i plotë i përdorimit të qeseve plastike dhe okso-biodegraduese në tregjet e vendit fillimisht duhej të hynte në fuqi më 1 qershor të këtij viti, por para këtij afati, MMJPH informoi se do të hynte në fuqi më 1 qershor të vitit 2024.

Në pyetjen nga MIA se pse u prolongua ndalimi i plotë i qarkullimit të qeseve plastike nga MMJPH-ja, shprehen se “masat e tilla duhet të marrin parasysh edhe momentin social dhe ndikimin tek prodhuesit që duhet të përshtaten me detyrimet e reja ligjore”.

Gjithsej 7.169 kontejnerë do të shpërndahen nëpër komunat

Sipas Programit vjetor për ndarjen e mjeteve të mbledhura për vitin 2023, të miratuar në shkurt të këtij viti, 105 milionë denarë do të dedikohen për ndërtimin e objekteve infrastrukturore për grumbullimin, përpunimin, riciklimin dhe asgjësimin e mbeturinave me interes më të gjerë publik, ndërsa 15 milionë denarët tjera për realizimin e një projekti për edukimin dhe ngritjen e vetëdijes publike të qytetarëve dhe subjekteve për trajtimin e qarkullimeve të veçanta të mbeturinave.

Kështu, 105 milionë denarë do të përdoren për blerjen e 7.190 kontejnerëve për grumbullimin e mbeturinave të letrës, tetrapakut, plastikës dhe metaleve për të gjitha komunat në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Furnizimin publik të kontejnerëve e shpallë dhe zbaton MMJPH, pas çka ato do t’u ndahen komunave.

Ndarja e numrit të kontejnerëve bazohet në numrin e banorëve në komuna, për një komunë deri në 5000 banorë ndahen 13 kontejnerë, për komunë nga 5001 deri në 15000 banorë ndahen 40 kontejnerë, për komunë nga 15001 deri në 23000 banorë ndahen 60 kontejnerë, për komunë nga 23001 deri në 40.000 banorë ndahen 104 kontejnerë dhe për komunë mbi 40.000 banorë ndahen 260 kontejnerë. Sipas të dhënave nga Regjistrimi i vitit 2021, në 80 komuna duhet të shpërndahen 7.169 kontejnerë.