Nga jugu i Evropës në veri: Si ndërtohet identiteti artistik mes kulturave, flet Rina Januzi
Në një kohë kur muzika shpesh matet me perfeksion teknik dhe produksion të lartë, artistja Rina Januzi sjell një qasje ndryshe, një qasje që vendos ndjenjën dhe sinqeritetin në qendër të interpretimit. E rritur mes dy kulturave, shqiptare dhe finlandeze, ajo ndërton një identitet unik artistik ku bashkohen intensiteti emocional dhe qetësia reflektuese. Në një bisedë për Portalb.mk, Rina foli për lidhjen mes muzikës dhe përjetimeve personale, për rolin e autenticitetit në skenë dhe për rrugëtimin e saj drejt një karriere ndërkombëtare, duke dëshmuar se arti më i vërtetë lind atëherë kur artisti guxon të jetë plotësisht vetvetja.
Portalb.mk: Çfarë e bën një interpretim muzikor të jetë i vërtetë, jo thjesht teknik?
Rina Januzi: Për mua, një interpretim bëhet i vërtetë në momentin kur nuk mendon më për teknikën. Kur ndjenja vjen para çdo gjëje tjetër dhe ti je plotësisht prezent në atë që po ndodh. Teknika është e rëndësishme, por ajo është vetëm një mjet. Ajo që prek njerëzit është sinqeriteti, kur guxon të jesh i pambrojtur në skenë.
Mendoj gjithashtu që historitë dhe përjetimet personale kanë një rol shumë të rëndësishëm. Kur ti ndan diçka të vërtetë nga vetja, publiku e ndjen dhe lidhet me të. Muzika ka një fuqi të veçantë – ajo mund t’i ndihmojë njerëzit të përballen me emocionet e tyre, me plagët dhe me rrugëtimin e tyre personal. Në ato momente, nuk je vetëm duke performuar, por po krijon një hapësirë ku njerëzit mund të ndihen dhe ndoshta edhe të shërohen.
Portalb.mk: A po humbet emocioni në muzikën e sotme përballë perfeksionit dhe produksionit?
Rina Januzi: Unë nuk mendoj që emocioni mund të humbasë në muzikë. Ai thjesht shfaqet në forma të ndryshme. Ndonjëherë prodhimi dhe perfeksioni nuk janë kundër emocioneve, por bëhen mjete për t’i shprehur ato – sidomos ato ndjenja që nuk mund të shprehen ndryshe. Për mua, nuk është çështja nëse muzika është e thjeshtë apo e prodhuar, por nëse ajo është e sinqertë dhe nëse arrin të përcjellë diçka reale tek dëgjuesi.
Besoj gjithashtu që gjithçka mund të interpretohet si muzikë dhe si art, madje edhe heshtja. Çdo gjë vjen nga natyra dhe ka ritmin dhe ndjesinë e vet, që kërkon të shprehet. Edhe teknologjia, në një mënyrë, është pjesë e kësaj – dhe mund të përdoret për të sjellë diçka të bukur dhe të vërtetë. Prandaj, pse të mos i japim hapësirë dhe të mos i ngremë edhe këto forma të ndryshme të shprehjes? Në fund, emocioni nuk humbet, ai vetëm ndryshon mënyrën si dëgjohet.

Portalb.mk: Sa e formëson identiteti kulturor mënyrën si krijohet dhe këndohet muzika?
Rina Januzi: Identiteti kulturor për mua nuk është diçka e ndarë, është një përzierje. Unë jam rritur mes dy botëve, dhe të dyja janë shumë të rëndësishme për mua – i konsideroj si dy shtëpi që më kanë formuar. Nga kultura shqiptare kam marrë emocionalitetin dhe intensitetin, ndërsa nga Finlanda një qetësi dhe hapësirë për të reflektuar.
Për mua, të qenit multikulturore dhe me një sfond të shumëfishtë është një pasuri, sjell shumë shtresa në jetë, në personalitet dhe në mënyrën si e sheh botën. Në fund, pavarësisht gjuhës apo prejardhjes, të gjithë lidhemi përmes të njëjtave ndjenja dhe përvojës njerëzore. Ndoshta pikërisht sepse vij nga dy botë, e ndjej edhe më fort këtë lidhje universale mes njerëzve. Në muzikën time këto dy anë bashkohen natyrshëm dhe përfaqësojnë më të mirën tek unë si artiste.
Portalb.mk: Cili është elementi i domosdoshëm që një performancë të mbetet gjatë te publiku?
Rina Januzi: Elementi më i rëndësishëm është lidhja. Nëse publiku ndjen që ti je i vërtetë dhe i pranishëm, ata e ndjejnë menjëherë. Nuk ka të bëjë vetëm me zërin apo performancën, por me energjinë që krijohet mes teje dhe publikut.
Sa më në paqe të jesh me veten dhe në rrjedhë me jetën, aq më e natyrshme dhe e vërtetë bëhet performanca jote. Kjo ndihet dhe interpretohet nga publiku, pavarësisht nga skena, bashkëpunimi apo situata. Energjia ka fuqinë të kalojë çdo hapësirë dhe të arrijë drejtpërdrejt në zemrat e njerëzve.Ndonjëherë nuk kemi nevojë për një spektakël të madh për të pasur ndikim – ndonjëherë një formë e thjeshtë dhe e sinqertë është ajo që arrin ta përcjellë mesazhin më të rëndësishëm. Ai moment kur njerëzit harrojnë gjithçka tjetër dhe thjesht ndjejnë, ai mbetet.

Portalb.mk: Në një skenë si “Louhela Jam 2026”, çfarë do të doje që publiku të mbante mend nga Rina Januzi pasi të zbresësh nga skena?
Rina Januzi: Do të doja që publiku të mbante mend ndjesinë. Jo vetëm këngën, por momentin. Ndoshta një ndjenjë që i ka prekur, ose një qetësi që kanë ndjerë.
Për mua është e rëndësishme që njerëzit të ndihen të lidhur me emocionet e tyre dhe të mos ndihen vetëm. Dua që ata të ndihen të sigurt, të përballen me ndjenjat që ndoshta i kanë mbajtur brenda për një kohë të gjatë. Dua gjithashtu që ata të ndiejnë se kanë rëndësi, që historia dhe vetë qenia e tyre kanë vlerë.
Dua gjithashtu t’i ftoj njerëzit të shohin edhe një këndvështrim tjetër, të ndalen dhe të reflektojnë kur dëgjojnë muzikën time dhe përjetojnë performancat e mia.
Sepse për mua, performanca nuk është thjesht diçka që dëgjohet, por diçka që përjetohet.
Portalb.mk: Sa të ka ndryshuar Finlanda si artiste, dhe çfarë ka mbetur krejtësisht shqiptare brenda teje?
Rina Januzi: Finlanda më ka ndikuar shumë në mënyrën si e shoh muzikën, më ka dhënë hapësirë për të eksploruar dhe për të gjetur zërin tim si artiste. Ka një qetësi dhe thellësi këtu që më ka formuar. Ndërsa ajo që ka mbetur plotësisht shqiptare tek unë është emocioni, intensiteti, mënyra si ndjej dhe si e shpreh muzikën. Gjatë rrugës time kam pasur momente kur ndihesha ndryshe dhe nuk ishte gjithmonë e lehtë ta pranoja këtë. Por me kohën kam kuptuar që pikërisht kjo “ndryshim” është forca ime. Në një farë mënyre, këto dy anë plotësojnë njëra-tjetrën dhe përfaqësojnë më të mirën tek unë.
Portalb.mk: Nëse kjo përzgjedhje është një derë që po hapet, ku ëndërron që të çojë ajo derë në të ardhmen?
Rina Januzi: E shoh këtë si një hap drejt diçkaje më të madhe, që më afron edhe më shumë me atë që jam si artiste – një përzierje e dy botëve. Nuk është vetëm një mundësi për të performuar, por edhe për të u rritur si artiste dhe për të arritur më shumë njerëz. E shoh gjithashtu si një proces ku zhvillohem edhe si person, sepse rritem bashkë me muzikën që krijoj dhe interpretoj.
Dua që kjo derë të më çojë drejt një rruge ku mund të ndërtoj një karrierë ndërkombëtare, duke sjellë me vete të dyja kulturat që më kanë formuar. Besoj që pikërisht ky kombinim më bën unike dhe dua ta zhvilloj më tej duke krijuar muzikë që lidhet me njerëzit dhe i prek ata, pavarësisht nga gjuha apo prejardhja.
Po ashtu, dua të frymëzoj njerëzit të pranojnë dhe të përqafojnë dallimet e tyre dhe rrënjët e tyre – sepse shpesh ajo që na bën të ndihemi ndryshe është pikërisht ajo që na bën të veçantë.
Për mua, muzika vjen në “sezone”, ashtu si jeta – dhe çdo sezon ka një qëllim, që të çon më afër vendit ku je i destinuar të arrish. Në fund, ndjenja është universale.