Nga ekrani në qiell të hapur, të rinjtë e RMV-së kërkojnë më shumë kinema për kulturë e shoqërim
Në kohën kur filmat mund të shihen lehtësisht në çdo ekran, kinematë verore ofrojnë një përvojë ndryshe – film, ajër të hapur dhe shoqërim. Në Shkup dhe qytetet e tjera, të intervistuarit nga Portalb.mk vlerësojnë se më shumë projeksione të tilla do ta pasuronin jetën kulturore dhe do t’i afronin të rinjtë me kinemanë.
Folësit tanë vlerësojnë se organizimi i më shumë kinemave verore do ta pasuronte jetën kulturore, do t’i afronte të rinjtë me filmat klasikë dhe prodhimet vendore, si dhe do të krijonte hapësira të reja për edukim, argëtim dhe shoqërim.
Sipas tyre, Shkupi dhe qytetet e tjera kanë nevojë për më shumë projeksione nën qiell të hapur, festivale filmi dhe ngjarje kulturore të këtij lloji.

Regjisori Leotrim Idrizi tha se kinematë në ambiente të hapura mund të kenë ndikim të rëndësishëm, veçanërisht te fëmijët dhe të rinjtë.
“Kinematë në ambiente të hapura kanë një ndikim shumë pozitiv në jetën shoqërore, sidomos te fëmijët dhe të rinjtë. Ato nuk ofrojnë vetëm argëtim, por krijojnë edhe hapësira për edukim, kulturë, komunikim dhe afrimin e njerëzve me njëri-tjetrin. Përmes filmave mund të përcillen mesazhe të rëndësishme, të nxitet mendimi kritik dhe të zgjohet interesimi për artin dhe kulturën. Nëse do të kishte më shumë kinema verore, festivale filmi dhe ngjarje të ngjashme, publiku do të kishte më shumë mundësi për të kaluar kohën në mënyrë cilësore dhe për të përjetuar diçka ndryshe. Besoj se iniciativa të tilla do ta pasuronin jetën kulturore, do t’u jepnin më shumë gjallëri hapësirave publike dhe do të ndikonin pozitivisht në krijimin e një shoqërie më të hapur, më të afërt dhe më të kulturuar”, tha Idrizi.

Aktori Abudlla Osmani tha se magjia e kinemasë nuk është vetëm ajo që ndodh në ekran, por ajo që ndodh mes njerëzve që e shohin së bashku.
“Mendoj se teatri dhe kinemaja kanë secili kohën dhe magjinë e vet. Nëse dimri, me mbrëmjet e gjata, është koha kur publiku e frekuenton më shumë teatrin, vera është stina ideale për ta shijuar filmin nën qiell të hapur, ku çdo shfaqje kthehet në një përvojë të përbashkët. Kjo më kujton kryeveprën italiane Cinema Paradiso, kur kinemaja, para televizionit dhe rrjeteve sociale, ishte vend emocionesh dhe takimesh mes njerëzve. Edhe Stellan Skarsgård e përshkroi bukur këtë ndjesi kur tha se magjia ndodh pikërisht në sallë, kur publiku e përjeton filmin së bashku. Do të doja që edhe vendi ynë të kishte një kinema të hapur, madje edhe në formatin “drive-in”, ku filmat do të ndiqeshin nga veturat. Një ide e tillë do t’i jepte një dimension të ri kulturës filmike dhe do ta afronte më shumë publikun, sidomos të rinjtë, me filmin vendor dhe të huaj. Pavarësisht rritjes së platformave online, të rinjtë vazhdojnë ta zgjedhin kinemanë për premierat dhe filmat klasikë. Ky është një trend pozitiv që dëshmon se magjia e kinemasë vazhdon të jetojë.

Menduhije Curri thotë se nëse do të kishte kinema verore do të dëshironte të shikonte filma shqiptarë, të cilët e afrojnë publikun me kulturën dhe traditat vendore.
“Do të shkoja me shumë kënaqësi në një kinema verore për të parë një film shqiptar. Përveç atmosferës së bukur që krijon shfaqja nën qiell të hapur, filmat shqiptarë na afrojnë më shumë me kulturën, gjuhën, historinë dhe traditat tona. Besoj se një organizim i tillë do të ishte interesant për publikun, sidomos për të rinjtë, të cilët do të kishin mundësi ta njohin më mirë krijimtarinë filmike vendore. Në të njëjtën kohë, do të ishte edhe një mënyrë e bukur për të kaluar kohë së bashku, për të krijuar kujtime të veçanta dhe për t’u dhënë më shumë hapësirë autorëve e aktorëve shqiptarë”, tha Curri.

Ardian Miftari thekson se nuk do t’i thoshte jo kinemasë verore.
“Filmat klasikë nuk janë thjesht prodhime të së kaluarës, por vepra që kanë lënë gjurmë të thella në historinë e kinemasë dhe që edhe sot vazhdojnë të përcjellin emocione, ide dhe mesazhe të fuqishme. Shfaqja e tyre në një kinema verore do t’i jepte publikut mundësinë t’i rizbulonte këto vlera në një atmosferë krejtësisht ndryshe. Një hapësirë e tillë në Shkup do ta pasuronte jetën kulturore të qytetit, do të sillte më shumë gjallëri gjatë mbrëmjeve të verës dhe do t’u ofronte të rinjve një përvojë që dallon nga kinematë tradicionale. Besoj se kinemaja verore mund të shndërrohet në një pikë të rëndësishme takimi për artdashësit, ku filmi, kultura dhe shoqërimi do të bashkoheshin në një përvojë të përbashkët”, tha Miftari.

Edhe Luljeta Rexhepi thotë se do të ndiqte me dëshirë një film klasik në ndonjë kinema verore.
“Më pëlqen shumë ideja për të parë një film klasik në një kinema verore, sepse një ambient i hapur krijon një atmosferë të veçantë dhe një përvojë krejtësisht ndryshe nga ajo që ofrojnë kinematë e zakonshme. Filmat klasikë kanë vlera artistike, tematike dhe emocionale që mbeten të rëndësishme edhe sot, pavarësisht kohës kur janë realizuar. Shfaqja e tyre nën qiell të hapur do t’i jepte publikut mundësinë t’i përjetonte në një mënyrë më të afërt dhe më mbresëlënëse. Në të njëjtën kohë, kinemaja verore do të ishte një mundësi e mirë për të kaluar kohë cilësore me familjen ose miqtë, larg rutinës së përditshme. Besoj se një përvojë e tillë do të ishte jo vetëm argëtuese dhe relaksuese, por edhe e paharrueshme për të gjithë ata që e duan filmin”, tha Rexhepi.
Bashkëbiseduesit tanë janë të mendimit se kinematë verore mbeten një formë alternative e shfaqjes së filmave, duke kombinuar programin kinematografik me hapësirat publike dhe aktivitetet sociale, organizimi i më shumë projeksioneve të tilla do të mundësonte një ofertë më të larmishme kulturore dhe qasje më të gjerë të publikut ndaj filmave klasikë dhe prodhimeve vendore.
Ky material u publikua në kuadër të projektit “The Local Youth Lens”, i zbatuar nga “Mediat Inovative – Shkup”, mbështetet përmes programit të gjerë “MedIA-Lit”, i udhëhequr nga Qendra për Edukim Qytetar (CGO/CCE) në partneritet me Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi (HCHRS), Komitetin e Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Maqedoninë e Veriut (MHC), Qendrën e Tiranës për Ekselencë në Gazetari (TCJE) nga Shqipëria dhe Iniciativën Atlantike (AI) nga Bosnja dhe Hercegovina, me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe bashkëfinancimin e Ministrisë së Zhvillimit Rajonal-Investimeve dhe Bashkëpunimit me OJQ-të të Qeverisë së Malit të Zi.