U arratis nga burgu, vodhi një kasafortë të një hoteli në Shkup dhe u kthye në vendin e krimit të nesërmen

Është propozuar paraburgim për një person që më 8 korrik ka kryer vjedhje në një hotel të Shkupit. Siç ka njoftuar Prokuroria Publike, i dyshuari ka arritur të vjedh një kasafortë metalike të mbyllur me kod nga hoteli. Kasaforta përmbante para të gatshme në shumën rreth 1400 euro, si dhe çelësat e hotelit, disa SIM karta dhe pesë dokumente udhëtimi të mysafirëve që ndodheshin në hotel. Vlera e përgjithshme e sendeve të konfiskuara llogaritet në rreth 100.000 denarë, njoftoi PThP, transmeton Portalb.mk.

Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kthyer të nesërmen dhe kur është afruar në parkingun zyrtar, i janë afruar pjesëtarët e sigurimit të hotelit”, njoftoi prokuroria.

I dyshuari i ka spërkatur me sprej vetëmbrojtjeje në sy dhe menjëherë ka nisur të ikë duke u futur në një taksi. Vetura është raportuar dhe ndaluar nga zyrtarë policorë në Fakultetin e Ndërtimtarisë Shkup, pas së cilës i akuzuari është privuar nga liria.

Prokuroria thotë se ai më herët ka qenë disa herë i dënuar dhe ka vuajtur dënimin me burg në Burgun e Prilepit, por është arratisur dhe për të është lëshuar fletarrest më 5 korrik.

Sipas prokurorit publik, ekzistojnë rrethana që qartazi tregojnë rrezik për arratisje, andaj gjyqtarit të procedurës paraprake nga Gjykata Themelore Penale Shkup i ka dorëzuar propozimin për caktimin e masës së paraburgimit.