Të shtunën vjen “Familja Adams”, premiera më e re e Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe Të rinj

Me përshtatje dhe regji nga regjisorja maqedonase Tea Begovska këtë të shtunë, me datë 19 maj, në orën 20.00 vjen premiera më e re e Teatrit Shqiptar për Fëmijë dhe Të Rinj, ndërsa repriza më datë 21 maj po ashtu në orën 20.00, njofton Portalb.mk.

Bëhet fjalë për ‘’Familja Adams’’ (traileri i shfaqjes) e cila është një histori me të cilën të gjithë jemi rritur dhe për shumicën e audiencës është tashmë e njohur.

Personazhet janë të dallueshëm, shumë tërheqës dhe sfidues për t’u krijuar, si për aktorët, ashtu edhe për regjisorin. Këtë ide për “Familjen Adams’’ regjisorja Tea Begovska e ka prej më shumë se tetë vitesh dhe është e lumtur që Teatri Shqiptar për Fëmijë dhe të Rinj ia dha mundësinë këtij projekti të realizohej me një kast kaq të mrekullueshëm aktorësh. Është bërë një ndarje të personazheve që është një ndeshje e përkryer për teatrin.

Ky është prodhimi i parë i “Familjes Adams” në vendin tonë. Shfaqja është e destinuar për të rinj dhe adoleshentë, por kjo është edhe një shfaqje për të rriturit, prindërit dhe të gjitha familjet. Një shfaqje në të cilën tema është dashuria dhe të kuptuarit se ajo është më e forta nga të gjitha. Pranimi i gjërave ashtu siç janë. Të kuptuarit se bukuria është në diversitet, lumturia është në diversitet. Lumturia si mënyrë dhe zgjedhje, jo diçka e imponuar dhe e mësuar sipas rregullave. Vlerat e shoqërisë mësohen dhe zbatohen vetëm përmes diversitetit, jo përmes rregullave strikte, specifike dhe unike.

Vlerat e familjes nuk janë ato që shkruhet në tekstet shkollore, vlerat e familjes nuk janë një përkufizim i paramenduar dhe i memorizuar – familja është ndershmëri, besim, dashuri, pranim – harmoni e plotë.

Në shfaqje luajnë: Valdeta Ismaili, Melika Kastrati, Mumin Abdullahi, Dea Pajaziti, Flakron Aliu, Eldin Shiroki, Gëzim Zherka, Blerim Dardhishta.

Skenografia: Dardan Ahmeti dhe Tea Begovska.

Kostumet: Andrej Papaz Gjorgievski. Kompozitor: Enes Begovski.

Mjeshtër Zëri: Albin Sopa.

Mjeshtër Dritash: Elmedin Brahimi dhe Amet Çajani.

Punëtor Skene: Qamuran Shapka dhe Jetmir Ademi.

Gardеrobë: Meser Xhemaili.

Shfaqja është për publik me moshë mbi 15.