Nga 16 deri më 22 shtator në Tetovë do të mbahet Festivali TIFF ODA, marrin pjesë 22 filma
Nga 16 deri më 22 shtator, në Tetovë do të mbahet edicioni i 15-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit TIFF ODA. Për shtatë ditë me radhë, festivali do të sjellë filma të shkurtër dhe të gjatë, regjisorë të njohur, autorë të rinj, premiera, takime dhe histori nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria, Ballkani, Evropa dhe vende të tjera të botës, shkruan Portalb.mk.
Edicioni jubilar do të hapet më 16 shtator me filmin “Dua”, me regji të Blerta Bashollit. Një javë më vonë, më 22 shtator, sipari i festivalit do të ulet me filmin “Shame and Money” të regjisorit Visar Morina.
Programi i sivjetshëm premton një udhëtim të larmishëm nëpër botën e kinemasë, duke bashkuar në ekran zëra të afirmuar dhe perspektiva të reja filmike. Krahas programit kryesor konkurrues ballkanik, publiku do të ketë mundësi të ndjekë panoramën evropiane, programin për fëmijë dhe një varg shfaqjesh të veçanta.
Një nga shtyllat kryesore të festivalit është CINE WIN PANORAMA, programi konkurrues që këtë vit sjell 22 filma të shkurtër artistikë, dokumentarë, të animuar dhe studentorë. Në përzgjedhje janë përfshirë produksione nga rajoni dhe Evropa, disa prej të cilave janë prezantuar më parë në festivalet prestigjioze të Cannes, Locarno, Rotterdam, Clermont-Ferrand, Sarajevo dhe Visions du Réel, bëjnë të ditur nga faqja zyrtare e festivalit.
Përtej shfaqjeve filmike, TIFF ODA do ta kthejë Tetovën në një hapësirë takimi dhe shkëmbimi mes autorëve, profesionistëve të kinemasë dhe publikut. Gjatë një jave do të hapen tema aktuale, do të prezantohen forma të reja të shprehjes artistike dhe do të dëgjohen rrëfime që vijnë nga kultura dhe realitete të ndryshme.