Boçvarski në Beograd nënshkroi memorandumin për ndërtimin e hekurudhës së shpejtë Nish – Shkup

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski dhe ai i Ndërtimit, Trafikut dhe Infrastrukturës i Republikës së Serbisë, Goran Vesiq, nënshkruan sot në Beograd Memorandumin për ndërtimin e rrjetit hekurudhor me performancë të lartë në Korridorin 10, transmeton Portalb.mk.

Për Republikën e Maqedonisë së Veriut, kjo do të nënkuptojë ndërmarrjen e obligimeve për realizimin e projekteve infrastrukturore për ndërtimin e hekurudhës me performancë të lartë, edhe atë në fazën e parë të lëvizjes nga vendkalimi kufitar Tabanoc në Shkup dhe ndërtimin e linjës së re hekurudhore në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit.

Sipas Memorandumit, kjo nënkupton ndërtimin e një hekurudhe në gjatësi rreth 50 kilometra me shpejtësi komerciale të paktën 160 kilometra në orë për trenat e pasagjerëve, pra përshtatjen e shpejtësisë sipas kushteve lokale të itinerarit.

“Ne marrim përsipër që këto projekte të sigurojnë fonde nga institucionet financiare ndërkombëtare që sa më shpejt të fillojë zbatimi i kësaj nisme rajonale. Brenda dy javësh do të formojmë një grup pune me ministrin Vesiq dhe ai grup pune do të fillojë të punojë për një plan veprimi me dinamikë për realizimi i këtij projekti. Korridori 10 për rajonin është korridori më i rëndësishëm evropian që na lidh me Evropën Qendrore dhe ne duhet të shfrytëzojmë potencialet dhe përfitimet, dhe investimet jo vetëm janë të nevojshme, por edhe të domosdoshme për të qenë konkurrues në rutat tjera në transportin hekurudhor dhe të mallrave”, tha ministri Boçvarski nga Beogradi.

Republika e Maqedonisë së Veriut aktualisht është duke punuar në ndërtimin e hekurudhës në pjesën lindore të Korridorit 8 drejt Republikës së Bullgarisë, një investim në vlerë prej më shumë se 200 milionë euro, ndërsa tashmë ka përfunduar rikonstruimi i pjesës jugore të Korridorit 10 në gjatësi prej 30 kilometrat.

Kujtojmë se pesë e rekomandimeve kryesore të Komisionit Evropian (KE) në kapitujt për transportin dhe korridoret trans-evropiane në Raportin e fundit për vitin 2023 për progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt integrimeve evropiane ishte edhe përshpejtimi urgjent i ndërtimit të Korridorit 8 hekurudhor, me theks të veçantë te shpallja e tenderit për ndërtimin e fazës së tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, në shtrirjen nga Kriva Pallanka deri në kufirin maqedono-bullgar.

Në Raport thuhet se përgatitjet për shpalljen e dokumentacionit të tenderit për fazën e tretë të ndërtimit të hekurudhës drejt Bullgarisë po vonojnë dukshëm. Njëkohësisht, Komisioni Evropian thekson se ndërtimi i hekurudhës nga Kumanova në Kriva Pallankë ka filluar në nëntor të vitit 2022 me dy kontraktorë të rinj. Megjithatë, nga KE-ja konstatojnë se:

“Nevojiten përpjekje të mëtejshme dhe urgjente për ta përshpejtuar progresin në Korridorin hekurudhor 8 dhe pjesëve të tjera prioritare të rrjetit hekurudhor dhe rrugor”.